Joe Biden nuk e lë Putin pa dhurata, zbulohet çfarë i dha në takimin që zgjati rreth 3 orë

16/06/2021 20:42

Presidenti i SHBA, Joe Biden i bëri dy dhurata homologut të tij rus, Vladimir Putin në takimin që zgjati rreth tre orë në Gjenevë të Zvicrës.

E para ishte një skulpturë kristali e një bizoni amerikan. “Një nga gjitarët më madhështorë të kombit të Amerikës dhe përfaqësues i forcës, unitetit, qëndrueshmërisë”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë për dhuratat e Biden.

Presidenti amerikan gjithashtu i dha Presidentit Putin një palë syze dielli sportive të stilit “Aviator”, të cilat duket se i ka të preferuarat e tij.

Takimi Biden-Putin përfundoi pas më shumë se tri orësh. Dy presidentët fillimisht u takuan në një seancë më të vogël, ndërsa më vonë u përfshinë edhe zyrtarë të të dyja palëve.

Në një konferencë të ndarë për media, Putin tha se nuk kishte armiqësi gjatë takimit dhe se bisedimet ishin “mjaft konstruktive”.

“Vlerësimi ynë për shumë çështje ndryshon, por, sipas mendimit tim, të dyja palët demonstruan dëshirën për të kuptuar njëra-tjetrën dhe për të kërkuar mënyra për t’u afruar me njëra-tjetrën”, tha Putin.

Ai tha se u pajtua me Bidenin që t’i kthejnë ambasadorët në postet e tyre, në përpjekje për të ulur tensionet.

Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se agjenda e tij “nuk është kundër Rusisë apo dikujt tjetër, por është për Amerikën”.

Biden tha se ia ka dhënë këtë mesazh presidentit rus, Vladimir Puti.

“Aty ku kemi dallime, dua që presidenti Putin të kuptojë përse e them atë që them dhe përse e bëj atë që bëj”, tha Biden në konferencën për gazetarë pas takimit.

Top Channel