Parlamenti i Hungarisë ka kaluar sot ligjin që ndalon prezantimin e njerëzve homoseksualë në materialet shkollore apo programet televizive për fëmijët nën 18 vjeç, teksa partia në pushtet e kryeministrit Viktor Orbán intensifikon fushatën kundër të drejtave të grupeve LGBT.
Asembleja kombëtare kaloi legjislacionin me 157 vota pro, megjithse një nga deputetët e partisë Fidesz në pushtet e quajti planin “sulm ndaj të drejtave dhe identitetit të personave LGBTI”.
Por kundërshtimet e opozitës nuk ndikuan në votë pasi Fidesz ka një maxhorancë të shëndetshme, madje propozimi i mbështet dhe nga të djathtët e partisë Jobbik.
Masa është kritikuar dhe krahasuar me ligjin e ngjashëm të “propagandës ‘gay’” në Rusi në 2013, pas të cilit u shtuan armiqësia dhe sulmet ndaj personave ‘gay’, biseksuale e transgjinorë.
Legjislacioni i Hungarisë ndalon shpërndarjen e informacioneve me persona nën 18-vjeç, që promovojnë homoseksualitetin apo ndryshimin e gjinisë.
“Ka përmbajtje që fëmijët e një moshe të caktuar mund të keqkuptojnë dhe mund të kenë efekte negative në zhvillimin e vlerave të tyre morale apo të imazhit të vetes,” tha një zëdhënës i qeverisë hungareze.
Ligji detyron gjithashtu që vetëm kompani apo individualë të caktuar të kryejnë orët e edukimit seksual në shkolla, me qëllim “ndalimin e organizatave me prejardhje apo orientim seksual të dyshimtë”, tha zëdhënësi.
Kompanitë dhe organizatat e mëdha do të ndalohen të bëjnë reklama në solidaritet me personat gay, nëse konsiderohen se kanë audiencë për të miturit nën 18-vjeç.
Kjo pasi në 2019, në një reklamë të kompanisë Coca-Cola shfaqeshin çifte të buzëqeshur homoseksualë, çka bëri që partia Fidesz të bojkotonte produktet e tyre.
Top Channel