Partia Demokratike do të shpallë paraditen e sotme rezultatet për zgjedhjet e zhvilluara gjatë të dielës së 13 qershorit për kryetarin e ri.

Nga rezultatet paraprake Lulzim Basha ka siguruar mandatin e tretë në krye të partisë së dytë më të madhe në vend.

Të dhënat paraprake nga selia blu flasin për një fitore të Bashës me rreth 81% të votave.

Sipas të dhënave paraprake, kanë ushtruar të drejtën e votës 41.095 anëtarë të partisë, ose 54.7%. Nga 40.674 vota të vlefshme, 32.882 vota janë për kryetarin aktual të PD-së, Lulzim Basha, i ndjekur nga Agron Shehaj me 6.038 vota. Edith Harxhi numëron 991 vota, ndërsa Fatbardh Kadilli 763 vota.

Procesi i votimit, është kritikuar nga të tre konkurrentët, që garojnë përballë Bashës, që prej nisjes së tij.

Fatbardh Kadilli, pasi votoi, tha se gara është e pabarabartë. Agron Shehaj reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi se në një pjesë të madhe të vendeve të votimit vëzhguesit e tij po përjashtohen, po ndalohen ose po pengohen të monitorojnë procesin e votimit.

Kandidatja Harxhi u shpreh se procesi ka pasur parregullsi të mëdha, ndërkohë që shumë anëtarë nuk gjejnë emrat në parti.

 

Top Channel