Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale, ku shkruan se në një pjesë të madhe të vendeve të votimit vëzhguesit e tij po përjashtohen, po ndalohen ose po pengohen të monitorojnë procesin e votimit.

Shehaj shkruan se në degët 5, 10 dhe 15 në Tiranë vëzhguesit e tij janë përjashtuar dhe nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e votimit, ndërsa sipas tij, procesi në këto degë po komprometohet rëndë, sepse po votohet pa praninë e vëzhgueseve.

Kandidati për kryetar të PD-së akuzon më tej se në degët degët 2, 7, 12, 16 të Tiranës, në Delvinë, Patos, Devoll, Shkodër, Librazhd, Dibër, Berat, Devoll dhe Dibër po i lejojnë të votojnë masivisht pa asnjë kontroll.

“Vëzhguesit tanë nga terreni kanë evidentuar se janë mijëra anëtarë të Partisë Demokratike të cilët janë përjashtuar nga lista e përgatitur nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve i PD-së.

Së fundmi, na njoftuan që në Durrës kanë shtuar një listë të re votuesish përveç listës që është dërguar nga selia qendrore në Tiranë”, shkruan më tej Shehaj.

Postimi i plotë:

Jemi duke monitoruar më vëmendje gjithë procesin zgjedhor. Inkurajojmë të gjithë përfaqësuesit dhe mbështetësit tanë që pavarësisht parregullsive dhe presioneve, të japin maksimumin për të mbrojtur votën e demokratëve dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike.

Ne jemi duke mbledhur fakte e të dhëna për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë. Fatkeqësisht, më duhet të them se, në një pjesë të madhe të vendeve të votimit vëzhguesit e mi po përjashtohen, po ndalohen apo po pengohen që të monitorojnë procesin.

Në degët 5, 10 dhe 15 në Tiranë vëzhguesit e mi janë përjashtuar ose nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e votimit. Procesi i votimit në këto degë po komprometohet rëndë, sepse po zhvillohet pa praninë e vëzhguesve tanë dhe po administrohet nga përfaqësuesit e një kandidati.

Gjithashtu, në degët e mëposhtme, vëzhguesit e mi të pranishëm po mbahen larg dhe nuk po iu lejohet që të verifikojnë nëse ata që po votojnë kanë të drejtë të votojnë apo jo. Pra nëse janë në lista apo kanë kartë anëtarësie.

Kjo gjë po ndodh aktualisht në degët 2, 7, 12, 16 të Tiranës, në Delvinë, Patos, Devoll, Shkodër, Librazhd, Dibër, Berat. Madje në Devoll dhe Dibër po i lejojnë të votojnë masivisht pa asnjë kontroll.

Vëzhguesit tanë nga terreni kanë evidentuar se janë mijëra anëtarë të Partisë Demokratike të cilët janë përjashtuar nga lista e përgatitur nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve i PD-së.

Së fundmi, na njoftuan që në Durrës kanë shtuar një listë të re votuesish përveç listës që është dërguar nga selia qendrore në Tiranë.

Votimet në PD kanë filluar me një standard demokratik shume të ulët. Iu bëj thirrje komisionerëve dhe drejtuesve të partisë të mos i kthejnë zgjedhjet në një farsë elektorale.

Iu bëj thirrje demokratëve të thjeshtë që të luftojnë për votën e tyre dhe të mos lejojnë askënd që t’u heqë të drejtën për të votuar.

Top Channel