Reforma në Drejtësi/ Ministrja Gjonaj takim me prokurorët dhe gjyqtarët në Shkodër. Ja porositë që u jep

12/06/2021 10:09

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ditën e djeshme, është takuar me prokurorët dhe gjyqtarët e Shkodrës, ku është ngritur edhe qendra për ofrimin e ndihmës ligjore falas.

Në fjalën e saj, Gjonaj thekson se Reforma në Drejtësi u dha mundësinë gjyqtarëve dhe prokurorëve që të jenë të pavarur dhe të pandikuar nga politika, nga krimi apo nga çdo faktor tjetër.

Ajo ka thënë se shpreson fort që prokurorë dhe gjyqtarë ta ushtrojnë këtë detyrë brenda përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Pjesë nga fjala e Gjonajt:

Ky takim është i rëndësishëm edhe për faktin që ne kemi ardhur në Shkodër për të parë një nga qendrat e ngritura për ofrimin e ndihmës ligjore falas, por është shumë mirë për të kuptuar që ky nuk është në proces që kryhet vetëm nga ministria e Drejtësisë, nga drejtoria e Ndihmës Juridike Falas apo nga kjo Qendër, por jemi të gjithë aktorët bashkë. Jo pa qëllim kjo Qendër e ka vendin në këtë gjykatë, kjo qendër e ka vendin pikërisht në këtë godinë, sepse në fund të fundit ajo çfarë ne kemi interesin primar të gjithë bashkë është aksesi i qytetarëve në organet e drejtësisë.

Ndihma Juridike Falas ka qenë pjesë e reformës në drejtësi. Reforma në Drejtësi ka qenë shumëdimensionale dhe ka krijuar pjesëza të ndryshme që kanë patur nevojë që të reformohen dhe një ndër to është edhe reforma e Ndihmës Juridike Falas. Kur them reformë, ju e keni parë nga ajo çfarë shihni në mënyrë të përditshme dhe në atë çfarë ju kryeni në veprimtarinë tuaj dhe lidhet pikërisht me faktin që, për herë të parë është vendosur në ligj që ndihma juridike falas dytësore jepet nga gjykata si i vetmi institucion që mund të japë një vendim që verifikon, ka mundësi të verifikojë të gjithë kriteret gjyqësore. Por, nga ana tjetër është vendim i dhënë nga gjykata dhe kur vendimi jepet nga gjykata maksimimi shterohen shkallët gjyqësore, por në fakt nuk mund të diskutohet.

Po të shikojmë shifrat e ndihmës juridike falas dytësore janë pothuajse tre deri në katërfishin më lart se sa një vit më përpara. Që, do të thotë se që të gjithë kemi filluar ta kuptojmë mjaft mirë se çfarë është ndihma juridike dhe se si përfitohet ajo. Kur them të gjithë duke përfshirë edhe qytetarët se, në fund të fundit janë ata që e kërkojnë dhe sado ne arrijmë të bëjmë ndërgjegjësimin e tyre, pa gjyqtarët, pa trupën gjykuese, pa prokurorët, e kemi të pamundur që të realizojmë informimin e qytetarëve për faktin e funksionimit të kësaj ndihme ligjore falas. Për këtë, absolutisht keni mirënjohjen dhe vlerësimet e mia maksimale, por duhet që të gjithë bashkë ta vijojmë këtë proces, me qëllim që ndihma juridike falas dytësore të avancojë më tej për të ndihmuar sa më shumë njerëz që janë në pamundësi financiare apo janë nga ato grupe interesi që plotësojnë kriteret ligjore.

Reforma në Drejtësi tashmë e ka ndërtuar arkitekturën e saj, ne po presim funksionimin tërësor të të gjitha institucioneve të ngritura tashmë. Padyshim shumë procese kalimtarë duke filluar më saktë nga procesi i vetingut kanë krijuar një kosto në sistem, por kanë qenë procese të domosdoshëm.

Ka krijuar një kosto për shkak të vakancave që ka lënë në sistem ku padyshim sëbashku me Këshillin e Lartë Gjyqësor ne po e adresojmë për të krijuar hartën e re gjyqësore, por duke mbajtur në konsideratë atë që unë thashë më përpara, që është aksesi i qytetarëve në organet e drejtësisë. Unë e jam e bindur dhe besoj se deri në fund të këtij muaji ne do të arrijmë të gjejmë një dakordësi me Këshillin e Lartë Gjyqësor për të rifilluar hartën e re gjyqësore ku patjetër që do të duhet që në këtë hartë të re të ketë një zë të fuqishëm gjithë trupa e gjyqtarëve dhe e prokurorëve.

Por, patjetër duke mbajtur në konsideratë edhe një aspekt tjetër thelbësor, që ka të bëjë me faktin se përse ne e krijuam përqendrimin e gjykatave në gjykata më të mëdha: edhe për të rritur cilësinë, edhe për të rritur transparencën, edhe për të rritur llogaridhënien, edhe për të rritur profesionalizmin. Të katërta këto në proporcion me atë çfarë ne duam të krijojmë në aksesin e qytetarëve në organet e drejtësisë, do të jenë mishërimi i asaj çfarë do të përbëjë hartën e re gjyqësore.

Reforma në Drejtësi u dha mundësinë gjyqtarëve dhe prokurorëve që të jenë të pavarur dhe të paanshëm, ta ushtrojnë këtë detyrë të pandikuar nga politika, nga krimi apo nga çdo faktor tjetër. Unë vërtetë shpresoj fort se ju  do ta ushtroni këtë detyrë brenda përgjegjësive tuaja kushtetuese dhe ligjore duke e përdorur këtë armë të fortë të pavarësisë dhe të paanësisë që tashmë e keni të përcaktuar në ligj duke mbrojtur dhe duke mbajtur gjithmonë anën e qytetarëve në interes vetëm të ofrimit të shërbimit të drejtësisë. Kur them këtë, patjetër ne e dimë që reforma në Drejtësi ka vështirësitë e saj. E kam thënë shpesh që nuk është ndryshim infrastrukture, nuk është ndryshim godine, nuk është ndryshim emërtimi institucionesh, por është ndryshim mentaliteti. Prokurori duhet të ndryshojë mentalitetin që për çështjen është Zot vetë, nuk është më drejtuesi i prokurorisë.

Unë si ministër Drejtësie nuk kam asnjë zë në kapitullin e ndikimit në sistemin e drejtësisë për sa kohë emërimet, transferimet, promovimet, ndëshkimet disiplinore tashmë i përkasin institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Do të duhet të gjithë bashkë secili në rolin që kemi me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore në një bashkëpunim konstruktiv me njeri-tjetrin, ta bëjmë të mundur që reforma në Drejtësi të jetë e suksesshme deri në fund. Ka patur mbështetjen e qeverisë shqiptare në të gjitha aspektet si për pjesën financiare, si për pjesën infrastrukturore, si për plotësimin e burimeve njerëzore. Por, nga ana tjetër edhe me ndryshimet e fundit ligjore që ne realizuam sot, gjykatat e rretheve, gjykatat e Apelit kanë mundësi të kenë njesinë e këshilltarëve ligjorë, njesinë e juristëve, të cilët do t’u japin mundësi t’u lehtësojnë në përgatitjen e dosjeve, në shpejtimin e proceseve gjyqësore, ashtu edhe në ndryshimet që pësuan trupat, numri i gjyqtarëve në trupat gjyqësore.

Përtej rezultateve të vetingut, përtej rezultateve që kemi patur me pjesën e procedimeve disiplinore, sepse shembuj të cilët janë bërë përtej faktit se s’dua të marr emra konkretë, kanë treguar që pandëshkueshmëria ka filluar të luftohet. Për ne është shumë e rëndësishme, dhe nuk është vetëm për ne si politikanë. Pra, është për qytetarët që kanë pritshmëri shumë të larta, është për partnerët të cilët e kanë mbështetur që herët dhe vazhdojnë ta mbështesin ende. E kjo mbështetje na u dha për reformën në Drejtësi, edhe në disa takime që unë kisha në Uashington në Departamentin Amerikan të Shtetit së fundmi, të cilët janë të vendosur për ta mbështetur në mënyrë të pakursyer zbatimin e reformës në Drejtësi në Shqipëri, për ta parë si model edhe për vende të tjera, që do të duhet të punojnë fort për shtyllat kryesore të pavarësisë, paanësisë, transparencës dhe llogaridhënies.

Jam një ndër mbështetësit tuaj, në cfarëdolloj situate që do të keni, me qëllim që të ushtroni me përgjegjshmëri detyrën tuaj. Janë raste fatkeqe që dëgjon si rasti i Përmetit, i prokurorit të Përmetit kërcënimet që marrin. Prandaj edhe fuqizimi përmes Komisionit të Mbrojtjes së Prokurorëve dhe Gjyqtarëve, do të duhet të vijojë më tej, duke u dhënë më shumë mbështetje e mbrojtje të gjithë magjistratëve, të cilët ndihen të rrezikuar për shkak të detyrës nga faktorë të ndryshëm.

Top Channel