Ilir Meta ka reaguar për vendimin e Parlamentit për të shkarkuar nga posti i Presidentit.

Në një konferencë për mediat tha se ka qëndruar larg të seancës ku u votua me 104 vota shkarkimi i tij dhe e cilësoi si “shfaqje për të larguar vëmendjen nga krimet zgjedhore”.

Ndër të tjera, Meta foli për faktin që refuzoi të shkonte në mbledhjet e Komisionit të Posacëm duke thënë se nuk mund të linte agjendën e tij të planifikuar kohë më parë.

Meta: Mirëseerdhët në epokën e pluralizmit politik pas 25 Prillit, nuk ka shumë arsye për të qenë të lumtur, por të paktën jemi të kënaqur, që po kalojmë nga parlamenti komunist, në parlament demokratik, edhe pse zgjedhjet nuk kanë përfunduar ende dhe duhet të jemi të duruar.

Meqë ka pasur kërkesa nga ana juaj, për shfaqjen më të fundit të parlamentit monist, ju e dini se jemi përpjekur për të qëndruar larg asaj shfaqjeje që ishte për të larguar vëmendjen nga krime zgjedhore dhe për të spostuar vëmendjen tek fajtorë që nuk ekzistojnë. Po ju theksoj atë që e dini, gatishmërinë time edhe pse parlamenti ka qenë i shkarkuar që me 25 prill për të takuar iniciatorët e kësaj shfaqjeje brenda afatit ligjor që ishte data 10 maj dhe për të cilën i lajmërova shumë ditë përpara dhe e refuzuan sepse e kishin me diktat që Presidenti duhet të linte takimin e planifikuar me ministren e jashtme të Austrisë dhe Presidentit të Sllovenisë për t’ju nënshtruar parlamentit.

Pres me qetësi dhe durim përfundimin e procesit të ankimeve dhe të bashkëpunoj me shumicën e re dhe opozitën e re në parlamentin e ri, në respekt të Kushtetutës dhe të rivendosjes së llogaridhënies në të gjitha nivelet. Janë të gjitha mundësitë që kjo të ndodhë në Kuvendin e ri.

Top Channel