Rrëfehen personazhet e programit “Dua të të bëj të lumtur” duke treguar prapaskenat e historive të tyre, por çfarë ka ndodhur me ta?

05/06/2021 22:46

Programi “Dua të të bëj të lumtur” edhe këtë sezon vazhdoi të trajtojë dhe të sjellë çdo të shtunë në ekranet tona histori të cilat na kanë emocionuar, histori që na kanë përlotur, por dhe histori që kanë thyer tabutë dhe paragjykimet e shoqërisë shqiptare.

Këtë të shtunë programi siç ishte lajmëruar dhe nga vetë moderatorja, Arbana Osmani, uli siparin e sezonit të pestë. E gjithë bota së bashku me Shqipërinë gjatë kësaj periudhe kanë luftuar me “armikun” e padukshëm Covid-19, por pavarësisht vështirësive programi vazhdoi të na emocionojë me histori nga më të ndryshmet duke na mbajtur të “gozhduar” përpara ekranit.

Edhe këtë sezon në puntatën e fundit ishin të ftuar personazhet e historive më të spikatura që ngjallën diskutime dhe që na dhuruan shumë emocione duke na njohur me një shoqëri e cila është në ndryshim të vazhdueshëm çdo ditë. Personazhet kësaj here kishin ardhur në studio për të ndarë me ne se çfarë kishte ndodhur me ta pas transmetimit të historive.

Personazhet rrëfyen se falë programit jeta e tyre kishte marrë një rrjedhë tjetër sepse pas bërjes publike së historive disa prej tyre kishin pasur një mbështetje të madhe morale dhe ekonomike nga shqiptarë nga e gjithë bota. Secili prej personazheve ishte i shoqëruar nga gazetarët e programit që kishin trajtuar historitë e tyre. Ata na treguan prapaskenat kur ishin njohur me ta për herë të parë dhe se çfarë kishte ndodhur më pas.

Personazhi i parë që hapi puntatën e fundit ishte vetë Iljazi, burri që jetonte në një shtëpi me dy gratë e tij. Iljazi mbrëmjen e sotme rrëfeu se çfarë kishte ndodhur me të pas emisionit. Por për të surprizat nuk munguan e kësaj here, pasi në studio i ftuar special ishte Mevlani i “Për’puthen” i cili i kërkoi disa këshilla Iljazit se si të mbante dy partnere njëkohësisht. E ftuara e dytë surprizë për Iljazin ishte dhe këngëtarja e njohur, Flora Gashi e cila së bashku me të kënduan këngën “Rrugës isha tu kalu”.

Edhe këtë vit “Dua të të bëj të lumur” theu rekordet e shikueshmërisë me disa nga historitë më të bujshme siç ishte ajo e Stiljanos dhe Ersoneldës, çiftit që me dashurinë e tyre u dolën kundra të gjithëve, historia e Iljazit, burrit që kishte krijuar një familje të madhe me dy gratë e tij, historia e Rajmondës, gruas së dhunuar në mënyrë ekstreme, si dhe shumë të tjera.

Top Channel