Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë sot se negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që u bllokuan vitin e kaluar, do të rinisin brenda ditësh.
Vuçiç nuk e specifikoi datën, por tha se dialogu do të vazhdojë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe.
“Ne po flasim për ditë, jo javë. Ne jemi gjithmonë të gatshëm të flasim. Serbia nuk dëshiron një konflikt të ngrirë”, tha Vuçiç.
Vuçiç foli pasi të dërguarit e SHBA dhe BE vizituan këtë javë Serbinë dhe Kosovën si pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar në zgjidhjen e një problemi të kahershëm.
Kosova shpalli pavarësinë në 2008, por Serbia nuk e njeh. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE-së kanë njohur shtetësinë e saj.
Zëvendësndihmës sekretari i SH.B.A. Matthew Palmer dhe i dërguari i BE për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajcak, u takuan me Vuçiç të Enjten në Beograd pasi vizituan Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, më parë gjatë javës.
Uashingtoni dhe Brukseli kanë thënë qartë se normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për integrimin e tyre të mëtejshëm në institucionet Euro-Atlantike. Serbia dhe Kosova po kërkojnë të dy hyrjen në BE dhe Kosova synon gjithashtu anëtarësimin në NATO.
Vuçiç përsëriti qëndrimin e Serbisë se çdo zgjidhje në të ardhmen për mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë duhet të jetë një kompromis.
“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të flasim për zgjidhje kompromisi, por kurrë nuk jemi të gatshëm të flasim për poshtërimin e Serbisë”, tha ai, raportojnë mediet e huaja.
Top Channel