Presidenti Joe Biden po fillon një plan një-mujor në të gjithë vendin për të vaksinuar 70 për qind të amerikanëve të rritur deri në Ditën e Pavarësisë më 4 korrik.
Por administrata ende nuk ka hartuar strategjinë e ndarjes së vaksinave të tepërta për pjesën tjetër të botës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara përgatiti materialin me më shumë hollësi.
Me 170 milionë të vaksinuar, në ShBA ka filluar të ndjehet jeta normale.
Vendi po përparon edhe më shumë me planin një-mujor për të vaksinuar 70 për qind të të rriturve deri në Ditën e Pavarësisë.
“Nëse merrni një dozë këtë javë, mund të vaksinoheni plotësisht deri më 4 korrik dhe mund të festoni Ditën e Pavarësisë të lirë dhe pa pengesa”, tha Presidenti Biden.
Të mërkurën, Presidenti Biden njoftoi disa nisma si kujdes falas për fëmijët e prindërve që vaksinohen, transport falas deri në qendrën e vaksinimit, përdorimin e floktoreve dhe dyqaneve për të shtuar interesimin dhe duke inkurajuar kompanitë që të ofrojnë stimuj për të vaksinuarit.
“Birra falas për ata që janë mbi 21 vjeç, për të festuar pavarësinë nga virusi”, tha zoti Biden.
Ndërsa amerikanët po përfitojnë nga vaksinat e dhëna falas, një studim nga Qendra Globale e Inovacionit Shëndetësor Duke tregon se ShBA pritet të ketë qindra miliona doza të tepërta vaksinash deri në korrik.
“Jemi zotuar për 600 milionë doza në këtë vend; 366 milionë janë shpërndarë. Në muajt e ardhshëm do ta kuptojmë nëse kemi kapacitet të tepruar. 80 milionë doza, kryesisht Astrazeneca, të cilat ia kemi premtuar botës, duhet t’i nisim me shpejtësi në mënyrë të barabartë“, tha për Zërin e Amerikës Dr. Anans Parekh nga Qendra për Politika Dypartiake.
Administrata po përballet me presion në rritje për të njoftuar se kur dhe si do të ndahen dozat e tepërta.
“Ne do të përqëndrohemi në barazi, pra shpërndarjen e drejtë të vaksinave. Do të fokusohemi në shkencë. Do t’i bashkërendojmë përpjekjet me COVAX-in”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
COVAX është program i Kombeve të Bashkuara që u siguron qasje tek vaksinat vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Të mërkurën, një takim virtual i organizuar nga Japonia dhe organizata Gavi, Aleanca e Vaksinave siguroi 2.4 miliardë dollarë fonde shtesë për COVAX-in, duke e çuar totalin në gati 9.8 miliardë dollarë. Shtetet e Bashkuara morën pjesë, por nuk njoftuan fonde shtesë.
“ShBA ka dhuruar 2 miliardë dollarë për GAVI-n dhe për COVAX-in dhe kemi premtuar një shtesë prej 2 miliardë dollarësh deri më 2022”, tha nënpresidentja Kamala Harris.
Administrata po shqyrton mundësinë e dërgimit të dozave në vende të caktuara. Shumë prej tyre kanë kërkuar ndihmë, përfshirë Korenë e Jugut, Bangladeshin dhe Vietnamin. Shtëpia e Bardhë ende nuk e ka njoftuar qëndrimin e saj./VOA/
Top Channel