Spiropali në Top Talk: PS e gatshme t’i japë presidentin opozitës. Mbetemi të hapur për bashkëpunim

02/06/2021 17:37

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka theksuar se mazhoranca është gati që t’i japë opozitës edhe Presidentin Ilir Meta në rast se do të pranohet oferta e bashkëqeverisjes që i kanë bërë Bashës.

Në emisionin “Top Talk”, Spiropali tha se Partia Socialiste është e hapur për bashkëpunim dhe mund të bëjnë propozime të dyja palët në lidhje me Presidentin.

 “Ne e ftojmë lidershipin e tanishëm apo të ardhshëm që do të dalë nga zgjedhjet, por nuk besoj se do të ketë surpriza sepse zgjedhjet në PD po bëhen me stilin e vjetër që të pranojnë rezultatin, të ulen me ne në tryezë, të diskutojmë mbi rolet që duhet të kemi ne si mazhorancë, ata si opozitë përsa i përket procesit të integrimit dhe konsensusit politik që na duhet sot. Ta ndalim baltën ndaj Shqipërisë dhe këtë luftë të pakuptimtë që ndikon në proceset tona të jashtme dhe të integrimit.

Ofrojmë që të kemi diskutim edhe për çështjen e Presidentit dhe për emrat. Ne kërkojmë të ngremë nivelin e debatit në Shqipëri. Mjaft është mjaft! Deri më sot, të gjithë partnerët tanë i kanë njohur zgjedhjet si normale, por ndoshta edhe si zgjedhjet më të mira deri sot. Kanë bërë një zgjedhje të bukur, edhe ne edhe ata, nuk e mohoj.

 Nuk kemi asnjë tabu, mund të zgjedhin ata një emër ose ne. Jemi të hapur për diskutim. Nuk kemi asnjë problem me emrin që mund të propozojnë ata. Jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë për çdo ofertë,”– tha Spiropali.

Top Channel