Gjykata e Posaçme e Apelit la në burg Denis Xholin dhe Albjon Çekun, të arrestuar më herët në dyshimin e korrupsionit në zgjedhje.
Ata u kapën me vlera monetare nga qytetarët në Dibër, konkretisht nga Kandidati i PD, Luan Haka dhe mbështetësit e PD më 22 prill.
Asokohe, policia tha se “në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, policia sekuestroi një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik”.
Drejtuesi politik i PD në Dibër, Xhelal Mziu pretendoi atëherë se paratë po shpërndaheshin për të siguruar vota për kandidatin e PS, Melaim Damzi.
Kjo deklaratë u përgënjeshtrua më vonë nga Shtabi Elektoral i PS Dibër.
Po ashtu edhe vetë kryeministri Rama për rastet e tilla u shpreh: “Vrasin,kërcënojnë,akuzojnë, inskenojnë kapje njerëzish pa lidhje me PS që të baltosin PS,e kur kapen me presh në duar duke u betuar se do vrasin apo duke blerë vota me zë e më figurë, shfaqen deri në fund ashtu si janë:Llumi i shoqërisë, mallkim i vjetër që do zhbëhet të dielën”.
Top Channel