Ish-ndihmësi i Trump: Grusht shteti edhe në SHBA si në Mianmar!

01/06/2021 13:30

Michael Flynn, këshilltari i parë i sigurisë kombëtare i ish presidentit Donald Trump, befasoi me qëndrimin e tij në favor të një grushti shteti në SHBA të ngjashëm me atë të Mianmarit.

Për muaj të tërë, thotë CNN, lëvizja QAnon dhe forumet mbështetëse të Trumpit online kanë sugjeruar se një përmbysje ushtarake pushteti duhet të ndodhë dhe në Amerikë në mënyrë që Trumpit të rikthehet në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Flynn i bëri komentet e tij gjatë një eventi në Dallas, ku merrnin pjesë dhe ndjekës të torive konspirative të Qanon. “ Dua ta di përse ajo që ndodhi në Mianmar, nuk mund të ndodhë edhe këtu”, e pyeti dikush nga publiku, dhe Flynn u përgjigj: “S`ka asnjë arsye përse të mos ndodhë, asnjë arsye”.

Një mesazh i postuar më vonë në llogarinë e ish këshilltarit në Parler pretendonte se fjalët e tij ishin keqinterpretuar dhe ai nuk ka bërë thirrje për grusht shteti. Avokatja Sidney Powell, që e ka përfaqësuar në të shkuarën, tha se në asnjë mënyrë nuk kishte inkurajuar ndonjë akt dhune apo rebelimi ushtarak, por mediat sipas saj, i kanë shtrembëruar komentet e tij.

Ajo nuk shpjegoi megjithatë përse Flynn i kishte dhënë pyetjes atë përgjigje.

Top Channel