Mbyllet maratona e ankimimeve në KAS/ Nuk ka përsëritje zgjedhjesh, vendimi përfundimtar në Kolegj Zgjedhor

31/05/2021 12:18

Maratona e ankimimeve në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve është mbyllur ditën e sotme me marrjen e vendimit të qarkut Fier.

Për rreth një muaj, KAS rrëzuar 9 ankimimet e PD-së dhe LSI-së, të cilët pretendonin manipulime votash në zgjedhjet e 25 prillit.

Ditën e sotme, KAS rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për shpallje të pavlefshme të zgjedhjeve dhe ripërsëritje të tyre në qarkun e Korçës, Fierit dhe Elbasanit.

“KAS pasi e vlerësoi çështjen dhe provat e paraqitura vendosi rrëzimin e  kërkesës së PD-AN, rrëzimin e paraqitur nga LSI, lënien në fuqi të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha KAS.

“Nga faktet dhe provat e administruara, me shumicë votash u vendos, rrëzimi i kërkesave të PD dhe LSI, për Qarkun e Elbasanit, ky vendim hy në fuqi menjëherë dhe ilustrohet në fletoren zyrtare, për këtë vendim do të mund të bëhet ankimim në Kolegjin Zgjedhor, brenda 5 ditëve nga shpallja e vendimit” , deklaroi KAS.

PD kërkoi që KAS të shpallë pavlefshmëri të zgjedhjeve në 9 qarqe të vendit, në Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë, Fier, Berat, Gjirokastër dhe Korçë.

Pasi KAS rrëzoi të gjitha ankimimet e LSI-së dhe PD-së, vendimi i takon Kolegjit Zgjedhor për të shpallur verdiktin përfundimtar.

Ndërsa ditën e sotme Kolegji rrëzoi kërkesën e PD-së dhe LSI-së për qarkun e Gjirokastarës, të cilin KAS ua hodhi poshtë.

Top Channel