Juristët, Jordan Daci dhe Plarent Ndreca, ishin sot të ftuar në emisionin “Top Talk”, ku argumentuan procedurën e komisionit, për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta.

Komisioni ka nisur punën për shkarkimin e Presidentit, me arsyetimin se ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës. Sipas Jordan Dacit, komisioni nuk ka një përcaktim të qartë se çfarë do të thotë shkelje e rëndë kushtetuese.

Problemi është se komisioni nuk ka një përcaktim të qartë se çfarë do të thotë shkelje e rëndë kushtetuese. Nocioni i shkeljes së rëndë ka të bëjë në radhë të parë me anën objektive, që njeh e drejta penale, që nënkupton veprimin, natyrën e veprimit, pasojës.
Pjesa e dytë ka të bëjë me qëndrimin emocional, anën subjektive të personit, që do të thotë e ka bërë pa dashje, nga pakujdesia, kush është qëndrimi, a është munduar të eleminojë pasojat.
Nga Gjykata Kushtetuese, do të dalë shumë shpejt një vendim që do të analizojë këtë gjë.
Si rregull, kushtetuta përcakton shkelje të rënda, pra nuk është thjesht çdo lloj shkelje. Ajo që do e përcaktonte është: A ka një parim të shkelur dhe nëse po, cili është. A ka sjellë pasoja? Nëse jo, nuk mund të jetë shkelje e rëndë”.

Ai shton se as përfshirja e Metës në fushatën elektorale dhe deklaratat e një anshme, janë të vështira për t’u vërtetuar.
Parimi i Presidentit, për të qenë mbi palët, është një nga kryesorët. Presidenti nuk mund të ndajë parttë, por, të provuarit nëse ka qenë mbi palët dhe është përfshirë në fushatë, nuk jam i sigurt nëse ky Komision mund të vërtetojë paanshmëri të atij niveli”.

Ndërsa, juristi Plarent Ndreca thotë se është e përcaktuar qartë, çfarë do të thotë shkelje e rëndë e kushtetutës.
Presidenti i Republikës, shkarkohet nga detyra kur konsumon një shkelje të rëndë të ligjit.
Daci thotë që nuk përbën shkelje të rëndë, shkelja e ligjit që nuk përbën pasoja. Për mua, kjo është e gabuar. Institucione të tilla, sidomos institucioni i Presidentit të Republikës, i cili nuk ka aftësi juridike për të sjellë pasoja, edhe sikur të dojë, nuk do të thotë që nuk ka kryer shkelje të rëndë. Persona apo institucione, që realizojnë në mënyrë të përsëritur shkelje të të njëjtit veprim apo të së njëjtës dispozitë, sigurisht që, në momentin që e bëjnë në mënyrë të përsëritur, konsiderohet si shkelje e rëndë.
Nuk është e vërtetë që në legjislacionin tonë nuk njihet se çfarë është shkelje e rëndë. Ka mjaftueshëm bazë për interpretim dhe për referim e çfarë përbën shkelje të rëndë. Ligji për nëpunësit civil, përcakton që, kur një shkelje kryhet në mënyrë të përsëritur apo të qëllimtë, konsiderohet shkelje shumë e rëndë.
Për mua, mënyra se si Presidenti i qaset veprimtarisë së parlamentit, është një shkelje më vete”.

Për Ndrecën, Presidenti ka bërë shkelje të përsëritura.
Nëse do të ishte vetëm një rast dhe pa qëllime apo motivime partiake, mund të përbënte një shkelje, por jo të rëndë. Por, nëse kjo bëhet në mënyrë të përsëritur dhe me qëllime të qarta politike, që bien ndesh me pozicionin e Presidentit. Po marr rastin kur thotë se parlamentit është njëpartiak. Ku e ka të drejtën që të bëjë koment për një pushtet tjetër? Vetëm si kryetar i LSI-së në Presidencë mund ta bëjë këtë koment”.

Jordan Daci shprehet se fjalimet e Presidentit nuk kanë sjellë pasoja dhe për rrjedhojë nuk konsiderohen shkelje e rëndë. Ndërkohë që, Plarent Ndreca thekson se “jo domosdoshmërisht duhet të ketë pasoja që të quhet shkelje”.
Daci: Unë mendoj që pasoja nuk ka sjellë veprimi, jemi në kuadrin e retorikës. Unë mendoj që veprim që nuk ka pasoja nuk mund të jetë shkelje e rëndë. Presidenti ka pasur një alibi.
Ndreca: Ka vepra penale, të cilat nuk kërkojnë pasojë. Për shembull, falsifikimi i dokumentit është një vepër penale, pavarësisht se jo domosdoshmërisht sjell pasojë, është mjaftueshëm që dikush të dënohet për falsifikim.

Top Channel