Varianti indian i Covid 19 në Britani/ Franca vendos karantinë për shtetasit që vijnë nga Anglia

26/05/2021 21:54
Franca ka regjistruar shifra në rënie të infektimeve, gjatë javëve të fundit

Franca është bërë vendi i fundit evropian që vendos kufizime për udhëtarët që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, për shkak të përhapjes së variantit indian të koronavirusit.

Të mërkurën, qeveria franceze njoftoi një karantinë të detyrueshme për këdo që mbërrin nga Britania, megjithëse kohëzgjatja nuk është konfirmuar ende.

Gjermania vendosi një karantinë dy javore për udhëtarët nga  Mbretëria e Bashkuar javën e kaluar. Austria, po ashtu ka ndaluar fluturimet direkte në Mbretërinë e Bashkuar.

Deri në javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar kishte regjistruar 3.424 raste të variantit B.1.617.2, raporton BBC.

Shefi mjekësor i Anglisë, Prof Chris Whitty, ka thënë se varianti indian është “më i transmetueshëm” sesa varianti i Mbretërisë së Bashkuar i identifikuar për herë të parë në Kent, i cili ishte përgjegjës për valën vdekjeprurëse në Angli.

Sidoqoftë, një studim më parë këtë javë zbuloi se dy injeksione të vaksinave Pfizer ose AstraZeneca ofruan një nivel të ngjashëm të mbrojtjes kundër sëmundjes simptomatike nga varianti indian si ai Kent. Por, mbrojtja pas dozës së parë ishte më e ulët në variantin indian krahasuar me variantin Kent, përkatësisht me 33% dhe 50% efektivitet.

Javën e kaluar, BE ra dakord për pasaportën e gjelbër, për  27 vendet e bllokut, ku të gjithë ata që janë vaksinuar plotësisht me një vaksinë të miratuar, testuar kohët e fundit negative ose të rikuperuar nga infeksioni, mund të udhëtojnë. Kjo pasaportë pritet të nisë deri në korrik.

Top Channel