Pakënaqësia e qytetarëve dhe perceptimi i tyre për korrupsionin mbetet në nivele të larta. Ky është një nga konkluzionet e bëra nga qendra “FOL”, pas një studimi që zgjati 6 muaj.

“I drejti është mbytur. Dyert e institucioneve gjeji hapur sa të duash, por nuk të dëgjon dhe nuk të zgjodh njeri hall. Me lekë nëpër spitale. Ai që ka lekë shpëton, ai që nuk ka skadon. Sot pasurinë kryesore, marramendëse e ka i poshtri, rrugaçi, hajduti, vrasësi, por në bashkëpunim me qeveritarët.

Ta kallëzoj unë problemin dhe korrupsionin në Prokurori? Po ku është kjo prokuroria. Kemi 4 vjet që nuk kemi as prokurori, as gjykata. Janë gjithë ato dosje që po presin në stivë. Ne nuk jemi budallenj, i kuptojmë shumë mirë gjërat. Administrata e shtetit ka fuqi të ripërtërihet, por etërit tanë politikanë janë shumë mbrapa, janë shumë të mbrapshtë dhe të ligj.

Populli kot nuk flet. Çdo gjë bëhet me lekë. Ndoshta edhe ne i kemi mësuar, ne qytetarët, duke ju dhënë ryshfet nën dorë. Unë jetoj në Itali dhe atje nuk jep dot asnjë ëmbëlsirë kur mbaron punë në institucione.
Unë jam e pakënaqur nga shëndetësia. Kam djalin dy vjet që vuan nga epilepsia”, shprehen qytetarët.

Ekspertët e qendrës “FOL” kanë gjetur se numri më i madh i kallëzimeve të dorëzuara në Prokurorinë e posaçme SPAK dhe prokurorinë nën juridiksionin e Gjykatës së Tiranës, është për Kadastrën, në vend të dytë është Policia, e treta Ministria e Transportit dhe në fund renditen bankat dhe fondacionet mikrofinanciare.

Juli Ristani

Top Channel