U gjet i vdekur në rrugë, pas 7 orësh policia e Elbasanit zbardh ngjarjen

23/05/2021 15:19

Policisë së Elbasanit iu deshën 7 orë për të zbardhur ngjarjen e kësaj të diele që u duk si vrasje.

Përfundimi i hetimeve nga grupi hetimor nxori që viktima, Ramadan Kupi, 69 vjeç kishte kryer vetëvrasje. Ai ishte vet-hedhur nga kati i katërt i pallatit ku banonte.

Fillimisht u raportua për një ngjarje kriminale, ku patrullat e policisë rreth orës 4:45 kishin gjetur një trup të hedhur në atë të rrugës. Dyshimet paraprake ishin që viktima mund të ishte vrarë diku tjetër me sende të forta dhe të ishte hedhur në anë të rrugës, pranë edhe pallatit ku ai edhe banonte.

Për këtë arsye, policia nisi sekuestrimin e kamerave të sigurisë për të identifikuar ndonjë automjet të mundshëm që mund të kishte transportuar trupin. Në anën tjetër u bë edhe kontrolli i koshit të mbeturinave pranë zonës, për të parë për armën e ftohtë të krimit, por që gjithçka do të ishte një procedurë.

Ishte pikërisht ekspertiza mjeko-ligjore ajo e cila hodhi dritë mbi misterin e ngjarjes. Mjekët arritën të provonin që viktima kishte rënë nga lartësia.

Grupit hetimor u desh që në banesën e 69-vjeçarit të hynin me ndihmën e një zjarrfikëseje, për shkak se viktima e kishte mbyllur derën dhe jetonte i vetëm.

Dyshimet për një ngjarje të mundshme kriminale, lindën për shkak të vrasjeve të fundit që kanë ndodhur në Elbasan, dhe për natyrën e kriminalitetit nç qytet.

Këqyrja që u bë në banesën e viktimës, provoi që ngjarja nuk ishe kriminale, por ishte një vetëvrasje.

Top Channel