BE do të furnizojë me 100 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19 vendet më të varfra, njoftoi sot presidentja e Komisionit Europian gjatë samitit të G20-s për shëndetësinë.
“Të gjithë, kudo, do të kenë akses tek vaksinat”, deklaroi Ursula von der Leyen në Romë në fillim të takimit, kryesisht virtual. “Team Europe’ synon të japë të paktën 100 milionë doza për vendet me të ardhura të ulëta dhe të ndërmjetme para fundit të vitit 2021”, shtoi ajo.
Aksesi i vendeve më të varfra tek vaksinat, solidariteti ndërkombëtar dhe parandalimi i pandemive të ardhshme, janë në qendër të samitit të presidentëve dhe kryeministrave të vendeve të G20-s, të cilit i janë bashkuar Komisioni Europian, shtetet e Afrikës dhe Azisë si dhe 12 organizata ndërkombëtare dhe fondacione private.
Deklarata finale e samitit, e ashtuquajtur “Deklarata e Romës” do të konfirmojë angazhimin e vendeve më të pasura për të favorizuar prodhimin e vaksinave në Afrikë në sajë të transferimit të teknologjisë. “Ndërkohë që ne po përgatitemi për të përballur pandeminë e ardhshme, prioriteti ynë duhet të jetë të sigurohemi që ne e kapërcejmë së bashku pandeminë aktuale. Ne duhet të vaksinojmë botën dhe shpejt”, theksoi kryeministri italian, Mario Draghi, vendi i të cilit siguron presidencën e radhës të G20-s.
Top Channel