Sekretari i Shtetit Blinken viziton Izraelin, Bregun Perëndimor më 26-27 maj për armëpushimin – mediat

22/05/2021 18:25

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken do të takohet javën që vjen me palestinezët e izraelitët, teksa armëpushimi mes ushtrisë izraelite dhe Hamas i dha fund dje 11 ditë bombardimesh mbi Gaza dhe goditjeve me raketa nga Hamas.

Agjencia Reuters citonte burime diplomatike të SHBA të thonin se Antony Blinken do të vizitojë Izraelin dhe Bregun Perëndimor të mërkurën e të enjten, gjithashtu me një ndalesë në Egjipt, vendi kryesor që ndërmjetësoi armëpushimin e konfliktit të rëndë, që i kushtoi jetën të paktën 250 palestinezëve dhe 10 civilëve në Izrael.

Zëdhënësi Departamentit te Shtetit, Ned Price ka thënë se Blinken do të udhëtojë drejt Lindjes së Mesme për takime me zyrtarët izraelitë e palestinezë, si dhe me liderët rajonalë.

Blinken raportohet se ka telefonuar zyrtarët izraelitë gjatë krizës duke kërkuar ndalimin e luftimeve dhe bombardimeve në Gaza.

Presidenti Joe Biden ka thënë më herët se Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga sulmet e Hamas, në një kohë kur grupet e të drejtave të njeriut dënonin vdekjet e civilëve në Gaza.

Ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Çekisë e Sllovakisë vizituan dje shtëpi izraelite të shkatërruara nga raketat e Hamas. Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas, tha për gazetarët se siguria e qytetarëve izraelitë është “e panegocjueshme”.

FOTO GALERI
1/3
Ndertese e shkateruar nga sulmet ajrore ne Gaza

Top Channel