Zjarre të mëdha në Greqi/ Qindra zjarrfikës nuk i venë dot në kontroll flakët në Korinth

21/05/2021 01:46

Për më shumë se 24 orë zjarrfikësit grekë nuk kanë mundur të vënë nën kontroll një zjarr i fuqishëm që ka djegur deri tani të paktën 2000 hektarë pyje në zonën e Korinthit.

Më shumë se 270 zjarrfikës me dhjetëra mjete nga toka dhe ajri po luftojnë me flakët gjigande në një zonë me shumë shtëpi pushimi. Mbrojtja civile greke ka urdhëruar qindra banorë të evakuohen bashkë me dy manastire ortodokse, si një masë paraprake sigurie në këtë zonë rreth 70 km në perëndim të Athinës pranë qytetit turistik Lutraki.

Zjarri që shpërtheu mbrëmjen në orët e vona të mbrëmjes të së mërkurës në Schinos të Korinthisë thuhet se ka filluar nga djegia e degëve të prera të një ullishteje dhe çështja po hetohet nga Drejtoria e Krimeve të Zjarrvënies. Deri mbrëmjen e së enjtes janë raportuar shumë shtëpi të djegura plotësisht, apo pjesërisht, probleme ka me energjinë elektrike në zonë, ndërsa deri tani raportohet që nuk ka të lënduar.

Banorët të pamundur për të mbrojtur shtëpitë e tyre janë munduar të jenë pranë detit duke rikujtuar skenat tragjike të zjarrit vrastar në Mati të Athinës para 3 vitesh ku humbën jetën 102 persona. Erërat e fuqishme prej gati 75 km në orë që fryjnë në zonë vështirësojnë tejmase punën e zjarfikësve ndërsa retë e tymit kanë mbuluar gjatë orëve të ditës një pjesë të madhe të kryeqytetit grek.

Në një konferencë urgjente shtypi zv/Ministri i Mbrojtjes civile ka paralajmëruar se orët që vijnë do të jenë edhe më të vështira.

Top Channel