Fshati Zvërnec është një nder 100 fshatrat turistikë që qeveria shqiptare e ka vënë në listën prioritare. Por edhe pse është i rrethuar nga uji nga deti dhe nga Gjoli i Nartës banorët e tij vuajnë për ujë të pijshëm .

Fshati Zvërnec ndodhet në afërsi të qytetit të Vlorës – vetëm 6 km larg dhe përbëhet nga 1500 banorë, por aktualisht sot aty jetojnë 120 banorë, kryesisht të moshuar. Të gjitha banorët ankohen për mungesën e ujit që sipas tyre bashkia dhe qeveria nuk ka vënë dorë farë për ta. Zvërneci ka një linjë të veçantë nga ku furnizohej fshati prej vitit 1975, por hapja e lokaleve në pjesën e Pyllit të Sodës dhe shpimet që kanë bëra këto biznese për të marrë ujin e ka bërë të pa mundur furnizimin. Kulmi i mungesës së ujit janë muajt e verës, por sivjet kjo periudhë erdhi shumë më shpejt.

Banorët kanë dërguar nëpërmjet kryesisë kërkesa për këtë problem madje dhe kryeministrit, por asgjë nuk është bërë. Ata thonë se: “Na ka ardhur uji vetëm 4 orë në muaj dhe ne paguajmë nga 1500 lekë të reja në muaj. I kemi sytë nga qielli nëse hedh ndonjë pikë shi Zoti që ta mbledhim për të bërë ndonjë punë me të. Ujin për të pirë, e blejmë. Prej vitesh kemi pasur një burim dhe me “bjellë” (shtëmbë) në kokë kemi marre ujë kur isha nuse, por si duket përsëri po vjen ajo kohë” shprehet një banore.

“Nga mungesa e ujit- thotë një burrë plak – kam shumë muaj pa u larë. Plaka merr një leckë të lagur dhe më fërkon trupin. Ujin e paguajmë rregullisht. Aman na ndihmoni. Na kanë prurë dy herë një makinë bot me ujë dhe kemi mbushur nga dy bidonë 6 litrash, por kaq”.

Më e çuditshmja është se këta banorë edhe pse nuk kanë ujë figurojnë si debitorë në ujësjellës.

Fiksi u interesua pranë Ujësjellësit Vlorë, ku drejtori Shkëlqim Zenelaj na shpjegon se njihen me problemin e ujit në këtë fshat, madje kanë kryer edhe disa takime dhe me kryetarin e bashkisë për zgjidhjen e kësaj çështje. Ai premtoi për Fiks Fare se do ndërhyjnë në rrjetin aktual për ta rregulluar dhe për 10 ditë banorët e Zvërnecit të kenë ujë edhe pse me orar.

Përsa i përket pyetjes se kur do ketë një zgjidhje përfundimtare të problemit z. Zenelaj tha se po përpiqen për të nxjerrë një fond të veçantë që të mund të ndërtohet një linjë e re vetëm për fshatin Zvërnec. Kjo më pas do i jepte fund problemit disa vjeçar të ujit në këtë fshat.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA