“Mund të gjejmë mënyra për të punuar së bashku”, takimi i parë mes Blinken dhe Lavrov

20/05/2021 06:26

Diplomatët më të lartë nga administrata e Presidentit Biden dhe nga Rusia në takimin e tyre të parë të mërkurën theksuan se ish-vendet armike të Luftës së Ftohtë kanë dallime serioze në mënyrën se si i shikojnë çështjet botërore, por folën me një ton optimist për bisedimet, duke thënë se të dyja palët gjithsesi mund të gjejnë mënyra për të punuar së bashku.

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Antony Blinken, në takimin e tij të parë me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, një diplomat veteran, tha se nuk ishte “sekret që kemi mosmarrëveshjet tona” dhe se Uashingtoni do t’u përgjigjej akteve agresive nga Rusia, por se bota do të jetë më e sigurt nëse udhëheqësit e të dy vendeve punojnë së bashku. Zoti Lavrov, duke folur përmes një përkthyesi në hapjen e takimit në Rejkjavik në periferi të një takimi të Këshillit Arktik, tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë “dallime serioze” por duhet të bashkëpunojnë “në sfera ku interesat tona afrohen”.

Sekretari Blinken tha se Presidenti Biden dëshironte “një marrëdhënie të parashikueshme, të qëndrueshme me Rusinë” dhe tha se të dy vendet mund të punojnë së bashku për të luftuar pandeminë e koronavirusit, për të luftuar ndryshimin e klimës, duke u marrë me programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut dhe luftën në Afganistan. “Ne mendojmë se kjo është mirë për njerëzit tanë, e mirë për popullin rus dhe me të vërtetë e mirë për botën”, tha Sekretari Blinken. Takimi i parë i nivelit të lartë personalisht mes zyrtarëve të administratës së Presidentit Biden dhe një homologu rus, zgjati një orë e 45 minuta, më shumë se takimi një orësh që pritej.

Zoti Lavrov tha se bisedimet ishin “konstruktive” dhe se dy diplomatët do të përgatisin propozime për një takim të mundshëm midis Presidentit amerikan Joe Biden dhe Presidentit rus Vladimir Putin, sipas mediave shtetërore ruse. Një përmbledhje e takimit nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price nuk përmendi samitin e mundshëm presidencial. Sekretari Blinken kërkoi që Rusia të lirojë shtetasit amerikanë Paul Whelan dhe Trevor Reed, ngriti shqetësime rreth dislokimeve ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe përreth, si dhe ngriti çështjen e shëndetit të kritikut të ndaluar të Kremlinit Alexei Navalny, tha zoti Price.

Sekretari Blinken ngriti gjithashtu shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për veprimet e Rusisë kundër Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë / Radio Liria. Lidhjet kanë qenë të tensionuara që nga marsi kur Presidenti Biden – në fillimin e presidencës së tij – tha se ai e konsideronte Putinin si një “vrasës”, duke bërë që Moska të tërheqë për konsultime ambasadorin e saj në SHBA. I dërguari ende nuk është rikthyer. Ndërsa kishte gjysmë ore që po zhvillohej takimi i së mërkurës, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj disa anijeve dhe subjekteve të përfshira në ndërtimin e tubacionit Nord Stream 2 prej 11 miliardë dollarësh që do të çonte gazin rus nga Arktiku në Gjermani, një marrëveshje që Presidenti Biden e ka kundërshtuar. Administrata vendosi, megjithatë, të heqë dorë nga sanksionet mbi kompaninë që qëndron pas tubacionit dhe shefin ekzekutiv të saj.

Pas komenteve të tij të shkurtra, zoti Lavrov nuk iu përgjigj pyetjeve mbi sanksionet. Para njoftimit, Zëvendës Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov kishte thënë se heqja dorë nga sanksionet do të ndihmonte në normalizimin e lidhjeve mes Moskës dhe Uashingtonit. Zoti Lavrov, duke përmbledhur qëndrimin e Rusisë ndaj Shteteve të Bashkuara, e përshkroi atë si “shumë të thjeshtë”. “Ne jemi gati të diskutojmë të gjitha çështjet pa përjashtim, por nën perceptimin që diskutimi do të jetë i sinqertë, me faktet në tryezë dhe natyrisht në bazë të respektit të ndërsjellë”./VOA

Top Channel