‘Lufta për akujt’/ Rusia shton bazat ushtarake, dënon lëvizjet e SHBA-NATO në rrethin Arktik (fotot)

20/05/2021 17:19

Flota veriore e Rusisë ka thënë sot se masa e forcave ushtarake të NATO-s dhe SHBA në rajonin e Arktikut është tashmë më e madhe sesa në Luftën e Dytë Botërore, duke i akuzuar ato për aktivitetet provokativ në rajonin e rëndësishëm ekonomik, që Moska pretendon të sajin.

Kreu i flotës veriore ruse thotë se akumulimi ushtarak atje është më i madhi që prej viteve 1940, çka pritet të shtojë tensionet ushtarake mes Kremlinit dhe Perëndimit.

Moska është tashmë duke rimobilizuar bazës e saj ushtarake në rajon, Franz Josef Land, që gjendet në grupin e ishujve rusë të oqeanit Arktik, rreth 1000 km poshtë Polit të Veriut.

Sipas BBC, impjanti Franz Josef Land ka një bastion raketa-lëshuesish dhe një pistë ajrore ku mund të ulen të gjithë llojet e avionëve.

Por trupat atje duhet të përballen me temperatura prej -50C gradë në dimër, dhe duhet të drejtojnë mjetet e tyre për të shpërndarë tufat e arinjve polarë që shpesh afrohen në bazë.

Gjeneral Igor Churkin thotë se baza, e lyer enkas me ngjyrat e flamurit rus, ngjan me një “stacion hapësinor” prej rinovimeve të shumta teknologjike.

Komandanti i flotës veriore ruse Alexander Moiseyev, thotë se aktivitetet e fundit ushtarake të NATO e SHBA në Arktik kanë shtuar rrezikun e konfliktit.

“Nuk ka pasur kurrë kaq shumë forca këtu prej vitesh, që prej Luftës së Dytë Botërore. Ne e konsiderojmë një aktivitet të tillë provokator, pasi është pranë kufijve të Rusisë, ku ne kemi asete të rëndësishme, me këtë e kam fjalën për forca bërthamore”, tha ai.

Në fillim të vitit Rusia demonstronte manovrat e nëndetëseve të saj bërthamore që thyenin akujt e trashë në rajon, e gjithashtu avionët e saj që furnizoheshin në ajër mbi Polin e Veriut.

Eksperti arktik rus i universitetit MGIMO, Lev Voronkov, thotë se Rusia është vetëm duke mbrojtur kufijtë e saj dhe nuk kërcënon njeri, por shkrirja e akujve ka bërë që kufijtë të jenë më të ekspozuar, duke reduktuar mbrojtjen e tyre natyrale.

Ndërkohë Pentagoni ankohet se Kremlini po rinovon bazat e vjetra ajrore në Arktik, po ndërton porte të reja e po shton flotën e tij të anijeve bërthamore akullthyese.

FOTO GALERI
6/9
Baza eshte lyer enkas me ngjyrat e flamurit rus

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA