“Dritë jeshile” gazit nga Rusia, SHBA heq sanksionet ndaj gazsjellësit rus

20/05/2021 14:13

Qeveria amerikane vendosi të zbusë tensionet që kanë rrethuar ndërtimin e gazsjellësit të Detit Baltik “Nord Stream 2”, dhe të heq dorë nga sanksionet kundër tij.

Në këtë mënyrë, presidenti Biden po kërkon sipas mediave amerikane të shmangë ashpërsimin e marrëdhënieve me Gjermaninë. Kundër anijeve ruse të përfshira në ndërtimin e tubacionit megjithatë pritet të ketë edhe më tej sanksione. Konfirmime për këtë informacion deri tani nuk ka.

Kritikat erdhën nga republikanët e SHBA. Ata thanë se Biden po ndihmonte në mënyrë aktive Presidentin rus Putin për të ndërtuar Nord Stream 2. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai i jep Rusisë përparësi të mëdha strategjike në Europe, shprehen kritiket. Qeveria e SHBA-së është rreptësisht kundër gazsjellësit prej 1.200 kilometrash,i cili pothuajse ka përfunduar.

Ashtu si paraardhësi i tij Trump, Biden argumenton, ndër të tjera, se Gjermania po bëhet gjithnjë e më e varur nga Rusia. Projekti është i diskutueshëm edhe brenda BE-së.Qeveria gjermane është ende e lidhur me Nord Stream 2.

Përveç grupit Rus Gazprom, në projekt janë të përfshira kompanitë gjermane Uniper dhe Wintershall si dhe të tjera nga Franca, Britania e Madhe dhe Austria. Vendimi i presidentit Biden për të hequr dorë nga sanksionet ndaj Nord Stream 2 AG dhe drejtuesit të tij ekzekutiv heq një pengesë në marrëdhëniet SHBA-Gjermani, dhe zyrtarët amerikanë shpresojnë që kjo të sigurojë një farë optimizmi për të thelluar bashkëpunimin për çështje më të gjera, përfshirë Kinën dhe Rusinë.

Top Channel