Erdogan përfiton nga konflikti, tenton të prezantohet si lider në botën islame!

19/05/2021 16:28

Ndërsa shumë shefa shtetesh dhe qeverish po tregohen sa më diplomatikë që munden, në lidhje me konfliktin izraelito palestinez, duke i kërkuar të dyja palëve të tërhiqen, presidenti turk Recep Tayip Erdogan ka zgjedhur një korsi tjetër.

Ashtu sic ka bërë edhe shumë herë në të shkuarën, presidenti turk e ka quajtur Izraelin një shtet terrorist dhe imoral. Erdogan ka vijuar prej ditësh sulmet verbale ndaj Izraelit dhe aleatëve të tij. Të martën, Erdogan sulmoi Austrinë pasi kishte vendosur flamujt izraelitë në ndërtesat qeveritare në Vjenë: Unë e mallkoj shtetin austriak – tha presidenti turk.

Nuk është aspak sekret se Erdogan simpatizon dhe ka kontakte të ngushta me Hamasin. Sidoqoftë, opinioni publik turk, së fundmi, kishte ndjesinë se qeveria po ndiqte një kurs afrimi me Izraelin. Pavarësisht fjalëve të ashpra që Erdogan thotë rregullisht në adresë të Izraelit, bisedimet janë bërë të shpeshta këto kohë. Tregtia po ashtu po rritet me eksportet drejt Izraelit në rritje të vazhdueshme po ashtu. Presidenti turk, sidoqoftë, shpesh përdor retorikat fetare apo nacionaliste për të mobilizuar mbështetësit e tij. Sondazhet tregojnë se Erdogan dhe partia e tij po përballen me një rënie popullariteti.

Opozita dhe kritikët e akuzojnë atë se përdor retorikat e ashpra dhe polarizimin për të tërhequr vëmendjen nga dështimet e qeverisë. Por, ajo që është e qartë, është dëshira e Erdogan për ta bërë Turqinë një vend lider në botën myslimane. Pavarësisht se momentalisht, marrëdhëniet dypalëshe të Turqisë janë të vështira jo vetëm me Izraelin. Ajo është aktualisht e izoluar në gjithë lindjen e mesme. Vendet arabe, përfshirë Egjiptin dhe Arabinë Saudite i kanë kthyer shpinën Ankarasë.

Top Channel