Studentët nuk duan të kthehen/ Kërkojnë që të gjitha provimet t’i japin online dhe jo në auditore

18/05/2021 15:40

Teisa Kurti studion në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, në vitin e tretë Bachelor. Së shpejti diplomohet. 21 vjeçarja nga Fushë-Kruja I është bashkuar grupit të të rinjve, që janë kundër rikthimit të studentëve në auditore.

Teisa Kurti, Studente: Ne nuk mund t’i rikuperojmë aspak njohuritë që kemi humbur. Deri më sot nuk është bërë asnjë vlerësim i qartë, ose një raport paraprak i njohurive që ne kemi marrë deri më tani. Kështu që rikthimi në auditore vetëm për provime nuk është aspak efektiv për ne. Përkundrazi do t’i penalizonte studentët, pasi një pjesë e madhe e tyre janë nga rrethet. Dhe në këtë mënyrë, ata janë të detyruar të rikthehen në Tiranë vetëm për sezonin e provimeve. Por a është e mundur që ata t’u rikthehen dhomave të konvikteve, të gjejnë shtëpi me qira, për një periudhë kaq të shkurtër, pra për 1 muaj.

Tirana është e shtrenjtë për një student.

Teisa Kurti, Studente: Ashtu si shumë student, edhe unë jetoj prej 3 vjetësh në Tiranë me qira, bashkë me një shoqen time. Këtë vit vendosa ta mbaj shtëpinë me shpresën që do të riktheheshim shpejt në auditore, pas kërkesave të shumta që bëmë kohë pas kohe. Këtë vit unë po punoj dhe po studioj në Tiranë, pasi duhet të përballoj shpenzimet bazike mujore, që nuk janë të pakta.

Në fillim të majit Komiteti I Ekspertëve vendosi rikthimin e studentëve në auditore për konsultime dhe provime. Por studentët e Fakultetit të Ekonomisë fillimisht dhe të disa fakulteteve të tjera të Universitetit të Tiranës e kundërshtuan atë.

Teisa Kurti, Studente: Ashtu si për vendimet e mëparshme të Komitetit të Ekspertëve edhe këtë herë u gjetëm të papërgatitur, dhe në një moskoordinim total të Ministrisë së Arsimit, Universiteteve dhe Komitetit. Në fakt Universitetit I Tiranës vendosi t’u linte dorë të lirë fakulteteve.

Aktualisht fakulteti i Drejtësisë në Tiranë ku unë studioj, ka vendosur që provimet do të zhvillohen online edhe këtë semestër.

Juli Ristani

Top Channel