Katër vjet nga goditja e grupit të hashashit që mbillte drogë në Shqipëri dhe e transportonte me skafe në Itali, Gjykata e Posaçme në Shqipëri shpalli vendimin për katër nga të dyshuarit e kësaj dosjeje.

Moisi Habilaj, i prezantuar në përgjimet teelfonike si kushëriri i ministrit u shpall fajtor dhe u dënua me 10 vite burgim, ndërsa ai ka humbur gjurmët teksa theu arrestin shtëpiak në Itali ku dhe ishte dënuar për të njëjtin episod.

Habilaj përfitoi nga gjykimi i shkurtuar pas një kërkese që dorëzoi përmes avokatit nga vendi i paditur ku vijon të qëndrojë, kërkesë kjo e aprovuar që i solli zbutje të dënimit nga 15 vite burgim në 10 të tilla.

Të dënuarit e tjerë nga gjykata janë Nezar Seiti, që gjatë valës së hetimeve ju dorëzua Italisë, Fatmir Minaj dhe Meridian Sulaj të cilëve drejtësia ju dha secilit dënimin me nga 9 vite burgim. Grupi i Moisi Habilajt u shkërmoq në 2017, ndërsa në Itali u arrestuan edhe shtetas italianë që u identifikuan nga përgjimet intensive që tregonin se si  organizohej ky aktivitet.

Pjesë e dosjes ishte më herët edhe ish ministri i brendshëm , ish drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela dhe dy ish zyrtarët në arrati tanimë Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, dosja e të cilëve u veçua në disa episode. Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish drejtori Jaeld Çela presin hapjen e procesit në Gjykatën e Lartë, pasi Gjykata e Apelit i dënoi me shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Top Channel