Droga me vlerë 100 milionë euro/ Policia italiane tregon pamjet e kapjes së drogës që do të shkonte në Kosovë

18/05/2021 15:39

Pakot duhej të ishin të mbushura me mish pule, por brenda tyre Gurda di Finanza në portin e Gioia Tauro në Itali, gjeti rreth tre javë më parë 400 kg kokainë. Kjo sasi u sekuestrua një ditë më parë në Lipjan të Kosovës.

Droga, u zbulua nga skaneri dhe po kalonte transit nga porti i Santos në Brazil drejt kompanisë MC Food në Lipjan, me aksioner Izet Shaqirin, nga Kosova.

E njëjta kompani rezulton të jetë e regjistruar edhe në vendin tonë, me qendër në Kavajë, ku ka dy bashkëpronarë, Izet Shaqirin, me 60% të aksioneve dhe Bledar Habili. Aktivitet kryesor i kompanisë është importi dhe eksporti i mishit.

Prokuroria italiane, nisi një bashkëpunim me SPAK në vendin tonë dhe prokurorinë e Kosovës, me qëllim zbulimin dhe goditjen e rrjetit të trafikimit masiv të drogës, i cili u finalizua vetëm një ditë më parë.

Kamioni me kontenierin, qëndruan për rreth dy javë në portin e Durrësit, për t’u nisur më pas drejt Kosovës, por i gjithë itinerari i kamionit është ndjekur, derisa grupi që priste kokainën, nisi të bënte lëvizjet e para për shkarkimin e saj, në ish fabrikën e Coca Colës, në Lipjan.

Sipas burimeve brenda Doganës së Kosovës, transporti është bërë nga Shqipëria në drejtim të Kosovës, përmes pikës kufitare të Vërmicës, ku shoferi i kamionit i ka deklaruar punonjësve të doganës se ka qenë duke transportuar mish.

Hetimet e deritanishme çuan në ndalimin e 25 persona dhe 7 të tjerëve në pranga, duke përfshirë punëtorë, punonjës dhe shoferë të kompanisë, të dyshuar për trafikun ndërkombëtar të 400 kg të kokainës. Arrestimet janë bërë vetëm në Kosovë. Guarda Di Finanza thotë se kjo sasi droge e shitur me pakicë, kalon mbi 100 milion euro ne tregjet evropiane.

Kreu i SPAK, Arben Kraja një ditë më parë u shpreh se grupet kriminale kanë rritur rrezikshmërinë e tyre:
Grupet e strukturuara kriminale apo organizatat kriminale ushtrojnë aktivitetin e tyre në një territor shumë të gjerë, nga Brazili në Kosovë, duke kaluar nëpër shumë territore dhe kjo tregon që kanë rritur shkallën e rrezikshmërisë së tyre“.

Ndërkaq, Prokuroria e Kosovës është shprehur se hetimet janë ende në zhvillim dhe se janë shtrirë edhe në vendin tonë, për të parë nëse ka të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet trafiku ndërkombëtar droge.

Top Channel