‘Asnjë vend i sigurt’/ Gazetari i Associated Press përshkruan shembjen e redaksisë nga bombat izraelite në Gaza

18/05/2021 19:28

Të shtunën forcat ajrore izraelite bombarduan dhe shembën ndërtesën shumë-katëshe në Gaza ku përveç rezidentëve, ndodheshin zyrat e rrjeteve televizive Associated Press e Al Jazeera, me argumentimin se militantët e Hamas po operonin prej andej.

Ushtria izraelite tha se ndërtesa u shkatërrua se në të kishte asete ushtarake që i përkisnin Hamas, por komiteti i gazetarëve tha se sulmi ndaj medias mund të jetë i qëllimshëm nga ushtria, për të prishur mbulimin mediatik të vuajtjeve njerëzore dhe masakrës në Gaza”.

Dymbëdhjetë punonjës dhe gazetarë të AP po punonin apo qëndronin në zyrë kur ushtria izraelite telefonoi për t’i dhënë banorëve një orë kohë për t’u evakuar.
Gazetari palestinez i Associated Press, Fares Akram tregon sesi u largua nga ndërtesa për të shpëtuar jetën …

‘Evakuim! Evakuim!’

Ulërimat e kolegëve të mi më zgjuan, zemra nisi të më rrihte fort dhe mendja më lëvizte shpejt.

Ishte ora 1.55 e drekës dhe unë po çlodhesha në pjesën e sipërme të dy kateve që përbëjnë zyrat dhe redaksinë e AP në Gaza, që prej vitit 2006. Prej disa ditësh, që pas nisjes së luftimeve, unë flija në redaksi gjatë ditës, dhe punoja natën.

Nxitova poshtë ku pashë kolegët e mi që vinin helmeta dhe veshje mbrojtëse. Ata thërrisnin: “Evakuim, evakuim!”

Siç mësova më vonë, ushtria izraelite kishte piketuar ndërtesën tonë për shkatërrim dhe dha një paralajmërim të shkurtër paraprak.

Kësaj jave ata kishin shembur tre ndërtesa, duke paralajmëruar rezidentët e punonjësit, nganjëherë vetëm disa minuta para sulmeve të avionëve.
Teksa nisa të nxitoj, dikush më tha: “Ke 10 minuta kohë”.

Zgjodha disa gjera personale nga vendi ku kisha punuar nëntë vitet e fundit dhe nisa të largohem. Pak pas orës 14.00 pashë rrotull dhe isha personi i fundit aty”.
Një ditë më parë një sulm ajror shkatërroi fermën e familjes time në veri të Gaza. Tashmë dhe zyrat e mia në qytetin e Gaza, vend që konsiderohej i sigurtë prej agjencive AP e Al Jazeera që ndodheshin në katet e sipërme të saj, janë kthyer në rrënoja vetoni e pluhuri.

Në Gaza nuk ka vend të sigurt.

Zbrita me vrap 11 kate me shkallë dhe arrita në parking. Makina ime ishte e vetmja aty, të gjitha të tjerat ishin evakuar. Hodha plaçkat në sediljen e pasme dhe u nisa.

Kur besoja se isha larguar mjaftueshëm, parkova dhe dola jashtë. Edhe kolegët e mi ishin aty, duke pritur çdo të ndodhte më pas.

Aty pranë, pronari i ndërtesës fliste në telefon me oficerin izraelit që i kishte dhënë urdhrin e evakuimit. Ai i lutej për më shumë kohë. “Jo,” ishte përgjigja, “Nuk është e mundur.” “Shko në ndërtesë dhe sigurohu që të kenë dalë të gjithë, ke 10 minuta kohë.”

Oficer palestinez ne rrenojat e nderteses se shembur te zyrave te AP e Al Jasira

Unë u ktheva nga ndërtesa duke parë, ndoshta duke u lutur që të mos ndodhte. Ku do të shkonin familjet që jetonin në ndërtesë dhe bizneset në katet e poshtme?

Të tjerë gazetarë u mblodhën në vend, në prag te sigurisë së mundshme fizike. Kolegët e mi nisën të xhironin.

Më pas brenda disa minutave, shpejt pas njëra-tjetrës, një goditje e vogël ajrore me dron, e ndjekur nga një tjetër, pastaj dhe një tjetër. Pas tyre tre bomba të fuqishme shpërthyen të lëshuar nga avionët F-16.

Fillimisht dukej sikur nderteses po i binin lëkurat, pastaj tymi e pluhuri përfshinë gjithçka dhe qielli uturiu. Gjithçka u zhduk në një shtëllungë tymi, teksa unë mbaja në xhep çelësin e një zyre që nuk ekzistonte më.

Ndërtesa jonë ishte zhdukur dhe nuk do të kthehej më, por gjëra të tjera po ndodhnin dhe unë duhet të mbuloja ato.

Kujtova se ne jemi gazetarë, dhe jo vete lajmi. Prioriteti nuk është vetja jonë, por të tregojmë atë që ndodh, historitë e njerëzve dhe komuniteteve që mbulojmë. /TheGuardian/

FOTO GALERI
1/3
Sulmi i shembjes se kulles me agjencite mediatike

Top Channel