Publikohen pamjet/ Momenti i shembjes së një Sinagoge në veri të Jerusalemit, dy të vdekur dhe dhjetëra të lënduar

17/05/2021 18:00

Të paktën 2 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduar, pasi një strukturë e ulëseve të një sinagoge u shemb pjesërisht.

Kjo ngjarje ndodhi në veri të Jerusalemit, një incident ky që vjen vetëm pak javë pasi 45 persona humbën jetën në një festival ultra ortodoks në malin Meron, në Izraelin verior.

Sipas medieve të huaja, policia bën me dije se rreth 650 adhurues ultra-ortodoksë ishin në sinagogën në Givat Zeev, një vendbanim hebre në Bregun Perëndimor.

Pamjet tregojnë momentin e shembjes së ulëseve dhe njerëzit që bien mbi njëri tjetrin.

Raportet fillestare nga shërbimi i ambulancës thanë se mjekët ofruan shërbim për rreth 60 të plagosur, duke përfshirë rreth 10 në gjendje kritike për jetën.

Më vonë u konfirmuar se 2 persona kishin ndërruar jetë, teksa dhjetëra të tjerë ishin lënduar.

Dëshmitarët thanë se shembja ndodhi gjatë një ceremonie për të shënuar fillimin e festës hebraike të Shavuot.

Policia dhe zyrtarët lokalë thanë se organizatorët ishin paralajmëruar se ndërtesa ishte e pasigurt dhe ngjarja kishte ndodhur pavarësisht nga mungesa e lejeve.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel