Blinken: SHBA po punon për t’i dhënë fund dhunës në Lindjen e Mesme

17/05/2021 23:02

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni mbetet “shumë i shqetësuar” me përshkallëzimin e dhunës midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rrripin e Gazës.

Blinken tha se SHBA-ja po punon “intensivisht” prapa skenave për t’i dhënë fund dhunës.

Duke folur gjatë një vizite në Danimarkë, ai tha se Izraeli ka të drejtë ta mbrojë veten dhe i bëri thirrje Hamasit dhe grupeve të tjera militante që t’u japin fund sulmeve me raketa.

Blinken bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe fëmijëve, por shtoi se shteti hebre ka një barrë shtesë për të bërë gjithçka të mundur, për të shmangur viktimat civile.

Dhuna midis ushtrisë izraelite dhe militantëve palestinezë është përshkallëzuar javën e kaluar.

Qysh më 10 maj, mbi 200 palestinezë janë vrarë nga sulmet e Izraelit në Gaza, thanë autoritetet në enklavën që kontrollohet nga Hamasi.

Në deklaratën e lëshuar të hënën nga Ministria e Shëndetësisë atje thuhet se 59 fëmijë dhe 35 gra janë në mesin e të vrarëve.

Ushtria izraelite tha se ka vrarë mbi 130 militantë në Gaza.

Dhjetë njerëz, përfshirë dy fëmijë dhe një ushtar, janë vrarë po ashtu në Izrael, si rezultat i raketave të hedhura nga militantët në Gaza, thanë zyrtarët izraelitë.

Thirrje për ndalje të dhunës bëri të hënën edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në një bisedë me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, Merkel shprehu “solidaritet” me Izraelin dhe “i dënoi ashpër sulmet e vazhdueshme me raketa nga Gaza”, tha zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert.

Duke pasur parasysh se shumë jetë civilësh janë humbur “nga të dyja palët”, kancelarja shfaqi shpresën e saj se “luftimet do të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Seibert.

Luftimet – më të këqijat në Gaza dhe Izrael qysh në vitin 2014 – vijnë pas disa javë tensionesh, të shkaktuara nga konfrontimet midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në kompleksin e Xhamisë Al-Aqsa në Jerusalemin Lindor.

Ky lokacion është një vend i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë.

Top Channel