Sulmet me bomba në Afganistan, të pakën 11 civilë të vrarë, teksa ushtria amerikane tërhiqet nga vendi

14/05/2021 12:30
Foto ilustruese

Katër sulme me bomba në Afganistan, në vende të ndryshme vranë të paktën 11 civilë dhe plagosën 13 të tjerë.

Sulmet ndodhën vetëm disa orë pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi treditor, të shpallur nga talibanët, me rastin e Festës së Bajramit.

Pesë civilë, përfshirë një grua dhe fëmijë, u vranë nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës, në qarkun Panxhuai të provincës Kandahar, tha zëdhënësi i policisë provinciale, Jamal Naser Barekzai.
Ai shtoi se dy fëmijë u vranë dhe tre të rritur u plagosën në një shpërthim tjetër, që goditi një taksi, në rrethin Maivand të së njëjtës provincë.

Në provincën qendrore të Gaznit, dy civilë u vranë gjithashtu nga një bombë në anë të rrugës, thanë zyrtarët.

Në provincën veriore të Kunduzit, shpërthimi i një bombe të ngjitur për një automjet civil vrau dy civilë dhe plagosi 10 të tjerë, tha Enhamuddin Rahmani, zëdhënës i shefit të policisë provinciale.
Përgjegjësinë për sulmet me bomba nuk e mori asnjë grup, raporton Radio Evropa e Lirë. Të dhëna për luftime të drejtpërdrejta midis militantëve talibanë dhe forcave qeveritare nuk ka pasur.
Në fillim të këtij muaji, Shtetet e Bashkuara kanë nisur t’i tërheqin trupat e veta nga Afganistani, pas 20 vitesh luftë.

Deri më 11 shtator pritet të tërhiqen të gjitha trupat amerikane, ashtu si edhe forcat e tjera të NATO-s, të pranishme në Afganistan.

Kjo ka rritur shqetësimet e vëzhguesve nëse qeveria afgane mund t’ia dalë e vetme në luftën kundër talibanëve dhe grupeve të tjera militante.

Top Channel