‘Njeriu i maceve në Siri’ ushqen qindra kafshë të mbetura jetime nga lufta

14/05/2021 21:07

Mohammed Alaa Aljaleel, i njohur ndryshe si “njeriu i maceve” në Siri, kujdeset që qindra felinë në strehën e tij të mos mbeten të uritura.

Para nisjes së luftës Aljaleel ishte një elektriçist që jetonte në Aleppo, në perëndim të Sirisë, thotë faqja e tij e internetit. Por kur nisi lufta, qyteti u sulmua dhe u bombardua, kështu që ai qëndroi për të ndihmuar duke u bërë shofer ambulance.

Në vitin 2012, ai nisi të ushqente macet që kishin mbetur të braktisura në rrugë. Sa më shumë që ai ushqente, të tjera mace mblidheshin dhe Aljaleel u detyrua të hapte një strehë të madhe kafshësh.

Pasi iniciativa e tij u pasqyrua nga mediat, bashkë me Alessandra Abidin në vitin 2015, ai nisi një faqe në rrjetet sociale për mbledhjen e fondeve për strehën e tij të maceve. Dhe kështu u ndërtua ‘Shtëpia e Maceve Ernesto’ ku fëmijët ftoheshin të vinin për të vizituar kafshët, si një formë terapie mes situatës së rëndë në Siri.

Në kulmin e popullimit të strehës së tij, burri ushqente rreth 1,000 mace. Por një vit më vonë bombardimet e tmerrshme në Aleppo shkatërruan strehën e tij dhe shumë mace vdiqën nga shpërthimet.

Me anë të disa donacioneve nga dashamirës, ai bleu një copë toke rurale në Aleppo dhe ngriti përsëri strehën e tij duke e quajtur ‘Ernestos Paradise’, që tashmë strehon 200 mace dhe ka një veteriner e një klinikë.

Aljaleel vijon me ndihmën e tij për viktimat, si ato feline dhe ato njerëzore. Kësaj jave ai shkruante në rrjetet sociale: “Restoranti ynë i njëmijë maceve respekton kufizimet e koronavirusit por jep vakte ngrënieje edhe natën”.

FOTO GALERI
6/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA