Macron kërkon tërheqjen e trupave azerbajxhanase nga zonat kufitare armene

14/05/2021 09:46

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar që Azerbajxhani të largojë menjëherë trupat që ka në zonat kufitare me Armeninë.

“Forcat e armatosura të Azerbajxhanit kanë pushtuar territorin armen. Ato duhet të largohen menjëherë”, ka shkruar Macron në Facebook.

“Unë i them edhe një herë popullit armen se Franca solidarizohet me ju”, ka shkruar ai në një postim në gjuhën armene.

Macron ka komentuar situatën kufitare në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit pasi ka biseduar përmes telefonit me ushtruesin e detyrës së kryeministrit në Armeni, Nikol Pashinian.

Presidenti francez po ashtu ka thënë se shpreson që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mund të ndihmojë “në kthim të stabilitetit dhe sigurisë në këtë rajon”.

Ndërkohë pala armene ka thënë se Pashinian ka falënderuar Macronin për “qasjen miqësore” ndaj Armenisë.

Forcat e Azerbajxhanit është raportuar të kenë depërtuar disa kilometra në provincën Syunik të Armenisë.

Sipas ministrisë armene të Mbrojtjes, ata po ashtu kanë shkelur në dy zona të kufirit mes dy shteteve më 13 maj.

Azerbajxhani ka insistuar se trupat nuk kanë kaluar në territorin armen dhe vetëm janë pozicionuar në anën azerbajxhanase, ku nuk kanë pasur qasje në muajt e dimrit.

Ministria e Jashtme në Baku ka thënë po ashtu se kufiri në mes të këtyre dy shteteve nuk është demarkuar asnjëherë, prej rënies së Bashkimit Sovjetik.

Deklaratat kundërthënëse kanë ardhur teksa zyrtarë ushtarakë të të dyja shteteve, janë takuar në kufi, duke tentuar të zgjidhin konfliktin.

Përfaqësuesit e trupave ruse është thënë se kanë marrë pjesë në negociata, që kanë zgjatur disa orë.

Asnjë marrëveshje konkrete nuk është bërë e ditur më pas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA