“Colonial” paguan hakerat/ SHBA, rifillon furnizimi me karburante

14/05/2021 12:18

Presidenti Joe Biden tha të enjten se tubacioni Colonial pritet të arrijë kapacitetin e plotë operacional dhe ai shpreson të shohë kthimin në normalitet të gjendjes së furnizimit me karburant këtë fundjavë.

Kjo kërkon një farë kohe, tha Presidenti i SHBA. Komentet e tij vijnë pas njoftimeve se kompania e tubacionit të karburanteve Colonial, u ka paguar gati 5 milion dollarë hakerave nga Evropa Lindore për të zhbllokuar operacionet e saj, sipas Bloomberg News, që u referohej dy burimeve të cilat kishin dijeni për transaksionin.

Një sulm kibernetik paralizoi të premten rrjetin më të madh të tubacioneve të karburantit në SHBA. Sipas njoftimit, kompania e bëri pagesën me kriptomonedha të pagjurmueshme të premten, vetëm disa orë pas sulmit. Pasi morën pagesën, hakerat i përcollën kompanisë një instrument dekriptimi për të rikuperuar rrjetin kompjuterik të paralizuar. Megjithatë, kompania përdori programet e veta kompjuterike që e ndihmuan të rikuperonte sistemin, pasi instrumenti i dekriptimit ishte i ngadaltë, njofton Bloomberg News. Shtëpia e Bardhë tha të enjten se qëndrimi i qeverisë amerikane mbetet i pandryshuar: Nuk është në interes të kompanive t’u paguajnë shpërblim hakerave.

Pas një ndërprerjeje gjashtë ditore, tubacioni Colonial, më i rëndësishmi i këtij lloji në SHBA, rifilloi të enjten punën për transportimin e miliona litrave të parë të karburantit. Në fillim të kësaj jave, FBI-ja akuzoi për sulmin kibernetik një bandë kriminale pak të njohur, të quajtur DarkSide. Ky grup nuk e ka pranuar drejtpërdrejt përgjegjësinë, por të mërkurën ai tha se ka prishur sistemet në tre kompani të tjera. Në një njoftim të postuar në faqen e internetit të DarkSide, nuk përmendet drejtpërdrejt tubacionin Colonial, por thuhet se: “qëllimi ynë është të fitojmë para, dhe jo të krijojmë probleme për shoqërinë”.

Top Channel