Certifikata vaksinimi false, shqetësim mes autoriteteve të sigurisë

14/05/2021 12:05

Certifikata e vaksinimit kundër koronavirusit, do të mundësojë udhëtimin më të lehtë.

Por ndërkohë kanë filluar edhe falsifikimet e shumta. Falsifikimi i dokumenteve të vaksinimit kundër virusit Corona është shndërruar në një temë shqetësuese për autoritetet e sigurisë në Gjermani, por ky problem është lënë shumë pas dore nga politika.

Kryetari i autoriteteve për luftën kundër kriminalitetit (BDK), Sebastian Fiedler, thotë se problemi ekziston dhe do të jetë aktual për një kohë të gjatë, pasi me një vaksinim të plotë lirohesh nga kufizimet e të drejtave themelore ose, në të ardhmen, do të kesh përfitime për lëvizjen e lirë. Ndaj edhe ata që refuzojnë vaksinimin do të jenë të interesuar të kenë këtë dokument për t’i shpëtuar detyrimit të karantinimit.

Prej ditësh në Gjermani personave të vaksinuar ose shëruar nga sëmundja Covid-19 u janë kthyer disa të drejta, të cilat më parë kanë qenë të kufizuara. Për këta persona nuk ka më kufizime të kontakteve apo të lëvizjes, ata trajtohen si personat që kanë bërë një test me rezultat negativ.

Prej të dielës së kaluar, në Gjermani kanë hyrë në fuqi rregullat për futje në këtë vend, për personat që kthehen nga pushimet. Personat e vaksinuar dy herë ose të shëruarit nga sëmundja Covid-19 nuk kanë nevojë të bëjnë teste dhe të futen në karantinë – përveç nëse vijnë nga një zonë me variante të reja të virusit Corona.

Top Channel