Xu Guoli ishte në faqet e para të gazetave kineze vitin e kaluar, teksa i përlotur ofronte shpërblim prej $13 000 për informacione mbi gruan e tij të zhdukur Lai Huili, edhe pse në fakt ai e kishte vrarë atë dhe kishte copëtuar trupin e saj në apartamentin ku banonin.
Media të shumta tregonin 55 vjeçarin që lutej për informacione dhe ofronte 100,000 huan për gjetjen e gruas së tij, për të cilën thoshte se e kishte lënë në shtëpi dhe nuk e kishte gjetur më.
Por pas një kthese djallëzore të hetimeve, ai është shpallur sot fajtor për vrasjen e saj.
Policia në qytetin lindor të Hangzhou shpenzoi javë të tëra duke kërkuar në apartamentin e çiftit dhe ndoqi më shumë se 6,000 orë pamje të kamerave të sigurisë, para se të arrinin në konkluzionin se 51 vjeçarja Lai, nuk kishte dalë nga apartamenti pasi ishte kthyer në të ditën e zhdukjes.
Rrjedhimisht testimet e ADN-së zbuluan gjurmë të trupit të gruas në depozitën e ujërave të zeza të ndërtesës dhe 16 ditë pas zhdukjes, Xu u arrestua e brenda disa orëve pranoi vrasjen e saj.
Në gjyqin në Hangzhou prokurorët akuzuan Xu se kishe hedhur droga në qumështin e Lai, para se të mbyllte gojën e saj me ngjitëse dhe ta mbyste për vdekje më 4 korrik 2020.
Ai më pas çoi trupin e saj në banjë dhe e copëtoi me një prerëse mishi, duke hedhur disa pjesë në tualet e disa në mbeturina.
Xu tha në gjykatë se nuk respektohej nga Lai dhe konfliktoheshin shpesh, edhe në formë fizike.
Ai mohon se vrasja ishte paramenduar, duke thënë se ndodhi gjatë një konflikti të ashpër gjatë darkës.
Avokati i Xu kërkoi një vlerësim psikik dhe dënim të butë, por prokurorët argumentuan se i akuzuari nuk ka histori familjare për sëmundje mendore dhe stabiliteti i tij mendor provohej nga pengimi që i kishte shkaktuar hetimeve.
Vajza 13-vjeçare e çiftit lutej që babai të mos dënohej me vdekje, kur dhe Xu nisi të qante:
“E doja dhe e urreja,” tha ai në gjykatë për gruan.
“Vrasja ishte mënyra e vetme. Nuk ka vlerë të them se jam penduar, nuk mund të them gjë tjetër, përveçse jam penduar”.
Dy vajzat e viktimës Lai, një prej të cilave ishte nga një marrëdhënie e mëparshme, kanë ngritur një padi civile ndaj Xu ku kërkojnë 2.17 milionë huan ($300,000) dëmshpërblim.
Top Channel