Video dramatike/ Blinda e vlerave nën breshërinë e plumbave i shpëton grabitjes brutale

13/05/2021 20:52

Pamje dramatike të kamerave të brendshme të një mjeti transporti të vlerave, tregonin sot momentet drithëruese kur dy drejtuesit e saj arrijnë të shpëtojnë nga një tentativë grabitjeje, megjithë breshërinë e plumbave që godasin xhamat e saj.

Ngjarja shokuese ndodhi në Pretoria të Afrikës së Jugut, ku dy policët privatë drejtojnë kamionin e blinduar para se të vihen nën zjarrin e sulmuesve.

Në pjesën e parë të pamjeve drejtuesit shihen që vijojnë normalisht itinerarin e tyre. Por pak më vonë plumbat dëgjohen që përplasen në anët e automjetit dhe dritarja e blinduar e shoferit nisi të kriset.

Shoferi çuditërisht ruan qetësinë e tij dhe arrin të largohet në mes të trafikut në rrugë, e madje duket se përplas një nga makinat e grabitësve.

“Po na qëllojnë!”, thotë shoferi në një moment teksa ndihmësi i tij përgatit armët e rezistencës.

Megjithë fishkëllimat e plumbave dhe tensionin, dy drejtuesit vijojnë avancimin të heshtur.

Pas dështimit në dukje të tentativës, shoferi shihet në fund që ndalon mjetin dhe merr automatikun e kolegut të tij, por sulmuesit nuk janë më pranë tyre.

Policia lokale tha: “Te dyshuarit qëlluan shumë herë ndaj automjetit të vlerave, duke tentuar ta ndalonin, gjatë ndjekjes së shpejtësisë së lartë. Shoferi arriti t’i shmangej grabitësve, por më vonë ai ndaloi duke vendosur t’i priste ata. Por grabitësit ishin larguar pa marre para. Ne ende nuk kemi bërë arrestime”.

Vlerësimet në rrjet ishin të shumta për dyshen drejtuese të mjetit dhe nervat e çelikta, në atë që mund të kishte qenë një ngjarje tragjike.

FOTO GALERI
1/3
Momentet drithëruese kur dy drejtuesit arrijnë të shpëtojnë nga një tentativë grabitjeje

Top Channel