Emigracioni dhe lindjet e pakta po tkurrin ndjeshëm popullsinë e së fundmi shqetësues po konstatohet edhe migrimi i brendshëm, që po çon drejt boshatisjes qytetet e vendit.

Eksperti për ekonominë Adrian Civici shpjegon se tendenca për t’u zhvendosur nga zonat periferike drejt atyre të zhvilluara si Tirana, Durrësi e Fieri lidhet me mundësitë dhe shërbimet e shumta që ofrojnë këto rajone.
Kjo shton ai bën që edhe fokusi i politikave zhvillimore të orientohet drejt tyre duke bërë të pamundur zhvillimin e qarqeve të tjera.

“Tendenca për të larguar lidhet me paga më të larta, për shërbime më të mira arsimore, shëndetësore, infrastrukturore. Rreth 15-20% e territorit (Tiranë-Durrës-Fier) ka një përqendrim të rreth 90% të kapitalit dhe aktivitetit ekonomik të vendit dhe në pjesën tjetër që është gati 80% e territorit ka shumë pak dinamikë ekonomike, shumë pak biznese, investime”, shprehet Adrian Civici, ekspert për ekonominë.

Përballë një situate të tillë, eksperti Civici propozon masa konkrete gjithëpërfshirëse për të zbutur procesin e migrimit masiv.

“Ka ardhur momenti që ne të bëjmë politika konkrete delokalizimi në të gjithë vendin, duke filluar nga politikat diferencuese fiskale sa i përket investimeve, me politika që stimulojnë disa aktivitete ekonomike që deri tani kanë qenë të pazhvilluara, deri te ato politika mbështetëse financiare për kategori të caktuara sociale që mund të joshen me subvencione ose pagesa të ndryshme për t’u punësuar dhe për zhvilluar aktivitete ekonomike”, tha Adrian Civici, ekspert për ekonominë.

Sipas të dhënave të Instat vetëm qarku i Tiranës dhe Durrësit shënuan rritje të popullsisë një vit më parë diçka që sipas ekspertit Civici mund të sjellë së shpejti edhe mbipopullimin e tyre, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e qarqeve të vendit panë një tkurrje të ndjeshme.

Top Channel