Netanyahu refuzon armëpushimin e Hamas, përgatit trupat në kufi për pushtim tokësor pas mizorisë në Gaza (foto të rënda)

13/05/2021 15:36

Benjamin Netanyahu ka refuzuar sot kërkesën e armëpushimin nga Hamas teksa Izraeli po dislokon trupat e këmbësorisë pranë kufirit të Gaza, për pushtimin territorial pas masakrës së bombave ajrore në zonën e banuar.

Të paktën 600 sulme ajrore izraelite janë kryer prej të hënës mbi qytetin e Gazas, të cilat kanë shembur ndërtesa banimi, dhe sipas Izraelit kanë neutralizuar nëntë komandantë të Hamas. Këta të fundit kanë lëshuar rreth 1000 raketa drejt Izraelit duke shkaktuar te pakten pesë të vdekur.

Megjithë dënesën e komunitetit ndërkombëtar, Netanyahu thotë se ushtria është e gatshme për një operacion afatgjatë në Gaza dhe ka refuzuar një kërkesë armëpushimi që Hamas njoftoi përmes ministrisë së jashtme të Rusisë.

Deri tani 83 palestinezë janë vrarë nga sulmet, duke përfshirë dhe 17 fëmijë.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha sot se trupat ushtarake janë pranë kufijve të Gaza, për operacione të ngjashme me ato të viteve 2014 dhe 2008-2009.

Ndërkohë Izraeli po përballet me kriza të rëndë të brendshme mes qytetarëve arabë dhe hebrej ku përleshje urbane janë njoftuar në qytete të ndryshme gjatë trazirave të natës.

“Fushata nuk ka mbaruar”, tha një ministër i kabinetit izraelit pas takimit me Netanyahu.

Planet për pushtimin tokësor janë aprovuar nga ministri izraelit i mbrojtjes Aviv Kohavi, sipas Jerusalem Post.

Presidenti Joe Biden dhe kryeministri Boris Johnson bënë thirrje për përmbajtje dje. Ndersa presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dënoi sjelljen e Izraelit duke thënë se vendit “i duhet dhënë një mësim”.

Erdogan tha në një bisedë telefonike me Vladimir Putin se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i japë Izraelit një mësim të mirë, dhe kërkoi që OKB të ndërhyjë me një mesazh “të qartë e të vendosur”.

Por thirrjet ranë në vesh të shurdhër teksa mëngjesin e sotëm Izraeli dhe Hamas vijuan shkëmbimin e zjarrit, megjithse forca e grupit militant palestinez nuk mund të krahasohet me mundësitë e zjarrit te Izraelit.

Top Channel