Fitër Bajrami në botë, festë nën shenjën e pandemisë dhe luftës

13/05/2021 12:15

Myslimanët në botë po festojnë Fitër Bajramin në mënyrë të heshtur për të dytin vit radhazi, ndërsa pandemia e koronavirusit sërish ka bërë që shumë xhami të qëndrojnë të mbyllura dhe familjet të ndahen në festën që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Myslimanët u mblodhën para qabesë, në xhaminë e madhe në qytetin e shenjtë të mekës për të marrë pjesë në faljen e bajramit, ndonëse më të paktë në numër për shkak të pandemisë.

Në Rripin e Gazës, të përfshirë nga dhuna, thirrjet për falje u dëgjuan mbi godinat e rrafshuara dhe malet më rrënoja ndërkohë që avionët izraelitë vazhduan të sulmojnë territorin në shpërthimin më të rëndë të dhunës që nga lufta e 2014-ës.

Në Afganistan, talebanët dhe qeveria afgane shpallën një armëpushim treditor për festën e bajramit, pas javësh përleshje të ashpra. Në këtë mënyrë, afganët mundën të shënonin festën me miq dhe familjarë. Ata iu drejtuan mëngjesin e të enjtes xhamive për faljen tradicionale të festës ndërsa autoritetet kishin shtuar personelin e sigurisë në disa nga xhamitë kryesore në Kabul.

Besimtarët me maska morën pjesë në faljet e përbashkëta në rrugët e kryeqytetin indonezian, Jakarta. Vendi me popullatën më të madhe myslimane në botë lejoi faljet në xhami në zonat me rrezik të ulët, por xhamitë në zonat ku virusi qarkullon më shumë, qëndruan të mbyllura. Indonezianët dhe malajzianët, për të dytin vit radhazi i kanë të ndaluara udhëtimet për të festuar me familjarë të tjerë.

Në Bangladesh ndërkohë, dhjetëra e mijëra njerëz po largohen nga kryeqyteti Dhaka, për ti bashkuar familjeve në fshatra për bajram, pavarësisht izolimit kombëtar dhe pikave të kontrollit nëpër rrugë. Ekspertët druajnë për një rritje rastesh në vendin që ka edhe mungesë vaksinash.

Top Channel