Në të gjitha xhamitë kryesore të qyteteve shqiptare janë zhvilluar faljet e mëngjesit për ditën e festës. 

Shkodër

Për shkak të kushteve atmosferike, qindra besimtarë të Shkodrës janë falur brenda në xhamitë e qytetit. Në fjalën e tij, Myftiu Imam Muhamed Syftari u ndal edhe tek situata e vështirë e besimtarëve myslimanë në botë, veçanërisht në Palestinë, atje ku po vazhdojnë luftimet.

Durrës

Për shkak të vitit të dytë të pandemisë dhe orës së kufizimit të lëvizjes, falja e Bajramit në xhaminë e madhe të Durrësit dhe sheshin para saj nisi pak pas orës 06.00. Besimtarët uruan njëri-tjetrin për begati e mbarësi, ndërsa imami i xhamisë bëri thirrje për mirësi mes njerëzve dhe mbështetje për më të varfrit.

Elbasan

Besimtarët myslimanë të Elbasanit falën Fitër Bajramin në sheshin “Gensher”. Qindra besimtarë kryen sot faljen tradicionale, pas një muaji agjërimi dhe sakrifice.
Në fjalën e tij, Myftiu Agim Duka i drejtoi lutjet për të gjithë ata që u sprovuan nga pandemia, por edhe për shpirtin e atyre që nuk e fituan betejën.

Korçë

Besimtarët kanë falur në Xhaminë ‘Iljaz Bej Mirahori’ në Korçë Fiter Bajramin. Pas një muaji agjërimi e sakrifice, besimtarët mbushën sheshin e xhamisë për të falur namazin, ndërsa Myftiu Ledian Cikalleshi përcolli urimet për të gjithë në këtë ditë të rëndësishme për shqiptarët.

Që në orët e para të mëngjesit besimtarët kanë falur Namazin ne xhaminë e qytetit të Fierit, në xhaminë e Plumbit në Vlorë në Lushnje dhe në qytetet e tjera të vendit.

Top Channel