Fëmijët, të tmerruar/ Izrael-Gaza, banorët përgatiten për luftë

12/05/2021 20:30

Banorët në Izrael dhe Gaza, thonë se po përgatiten për një konflikt në shkallë të gjerë, ndërsa militantët palestinezë dhe forcat izraelite vazhdojnë të shkëmbejnë zjarr.

Militantët kanë hedhur me qindra raketa drejt izraelit, që nga e hëna, dhe ky i fundit është kundërpërgjigjur me sulme ajrore.
Dhuna, është më e rënda në vite të tëra dhe ka shkaktuar viktima në të dyja palët.

Një djalosh i vogël palestinez, vrapon pas trupit të pajetë të të atit që u vra në sulmet ajrore mbi gaza.
Një grua, rrëfen momentin tmerrues para agimit, kur një raketë goditi shtëpinë e saj ndërkohë që vetë ajo ishte fshehur në dollapin e rrobave.

Në qytetin izraelit të Lodit, që aktualisht është nën gjendje emergjence, një arab 52-vjeçar dhe vajza e tij 16-vjeçare, humbën jetën kur një raketë goditi makinën e tyre. Sirenat e alarmit dëgjohen ngado ndërsa me mijëra njerëz e kaluan natën në bunkerë.

Në Gaza ndërkohë, tymi ngrihet në ajër dhe rrugët janë plot me rrënoja. Një familje në gazën veriore ka humbur plot pesë pjesëtarë të vrarë në një sulm ajror izraelit, mes tyre dy vëllezër.

Izraeli thotë se po godet objektivat e militantëve, por viktimat janë edhe civilë.
Gaza nuk ka përjetuar një situatë të tillë në disa vite tashmë. E ky qytet, e di mirë se çfarë do të thotë luftë.

Top Channel