Absurditet në Francë/ Kryebashkiaku përdhunues drejton administratën nga prapa hekurave (fotot)

12/05/2021 19:55
Pankarta shkruan "As ne Draveil, dhe askund tjeter"

Shumë njerëz janë zemëruar së fundmi në Francë pasi një ish-ministër 63-vjeçar, tashmë kryebashkiak, vazhdon të drejtojë qytezën e Draveil pranë Parisit, edhe pse u shpall fajtor për përdhunim e sulm seksual.

Megjithë dënimin e tij, apeli i dha të drejtë Georges Tron për të vijuar mandatin e tij nga qelia e burgut, gjate kohes se gjykimit.

Dje një grup aktivistësh mbajtën një protestë në Draveil duke kërkuar largimin e Tron si kryebashkiak i qytetit.

Anëtarët e lëvizjes së quajtur tashmë “Jo në Draveil” ishin veshur si pula, dhe akuzonin politikanët për pafuqi ndaj çështjes.

Çështja kundër Tron ka nisur një dekadë më parë, kur ai u detyrua të dorëhiqej nga posti ministror pas akuzave për përdhunim e sulme seksuale ndaj dy ish-punonjëseve.

Në gjyqin e parë akuzat ndaj tij ranë, por një rigjykim në shkurt të këtij viti i dha atij dënimin me pesë vjet burg, dy prej të cilëve të pezulluara, si dhe u ndalua të mbante post publik për gjashtë vjet.

Por siç shpjegon politikani lokal François Damerval, problemi është se apeli i Tron bën që ai të konsiderohet i pafajshëm deri në dhenien e verdiktit final, dhe rrjedhimisht bëhet i aftë të vazhdojë detyrën si kryebashkiak edhe prapa hekurave.

Ministri i brendshëm i Francës, i cili shërbeu si avokat i kryebashkiakut në gjykimin e parë, kishte shprehur habi për faktin se qeveria nuk e heq dot nga posti të dënuarin gjatë vijimit të apelit.

“Sistemi aktual është problematik sepse mbron njerëzit që shpallen fajtorë për përdhunim, edhe kur qëndron supozimi i pafajësisë. Kjo sepse ai nuk ka kapacitetin moral të drejtojë administratën,” tha Damerval për BBC.

Që prej burgosjes së tij në shkurt, Tron ka vijuar të drejtojë këshillin bashkiak, me deklaratat e tij që lexohen nga dikush tjetër.

Zëvendësi i tij Richard Privat, mbron rolin e shefit duke thënë për mediat: “Derisa të ketë prova për të kundërtën, ai është ende kryebashkiak, askush nuk e heq dot nga posti”.

FOTO GALERI
1/3
Apeli i dha të drejtë perdhunuesit Georges Tron për të vijuar mandatin e tij nga qelia e burgut, gjate kohes se gjykimit.

Top Channel