Presidenti Joe Biden po hyn në fazën e ardhshme të administratës së tij, duke pasur miratimin e shumicës së amerikanëve, sipas një sondazhi të ri nga agjencia Associated Press (AP) – Qendra për Kërkime të Çështjeve Publike (NORC). Sondazhi tregon se pozitat e zotit Biden janë forcuar veçanërisht nga mbështetja e gjerë e publikut për trajtimin nga ana e tij të pandemisë së koronavirusit.
Në muajin e katërt të presidencës së tij, miratimi i përgjithshëm për zotin Biden është 63%. Përsa i takon trajtimit të pandemisë nga presidenti demokrat, 71% e amerikanëve e miratojnë atë, përfshirë 47% e republikanëve.
Sondazhi i AP-NORC gjithashtu ka gjetur një rritje të optimizmit të përgjithshëm të amerikanëve për gjendjen e vendit. Sipas tij, 54 % thonë se vendi është në rrugën e duhur, shifra më e lartë se në çdo sondazh të AP-NORC të kryera që nga viti 2017; 44% mendojnë se vendi është në rrugën e gabuar.
Këto nota pozitive kanë rritur besimin e Shtëpisë së Bardhë pas 100 ditëve të para të presidentit në detyrë, gjatë të cilave ai siguroi miratimin e një pakete për lehtësimin e pandemisë prej 1.9 trilion dollarësh dhe zgjerimin e vaksinimit ndaj COVID-19 në të gjithë vendin. SHBA, që ka pasur numrin më të lartë të vdekjeve nga virusi ndër të gjitha vendet e botës, tani ka një program masiv dhe të shpejtë vaksinimi dhe rezerva të gjera vaksinash.
Përmirësimet kanë ndikuar gjithashtu tek shqetësimet e amerikanëve në lidhje me virusin. Sondazhi i AP-NORC tregon se shqetësimet e publikut për pandeminë janë në nivelin e tyre më të ulët që nga shkurti i vitit 2020, kur virusi po mbërrinte për herë të parë në SHBA. Rreth gjysma e amerikanëve thonë se janë të paktën disi të shqetësuar se ata ose një i afërm i tyre mund të infektohen nga virusi, nga rreth 7 në 10 amerikanë vetëm një muaj më parë.
Siç ka ndodhur edhe më pare gjatë gjithë pandemisë, ekziston një hendek i thellë partiak në pikëpamjet e amerikanëve për rreziqet e pandemisë. Midis demokratëve, 69% thonë se ata mbeten të paktën disi të shqetësuar se mund të infektohen nga virusi, krahasuar me vetëm 33% të republikanëve. Megjithë vlerësimet e përgjithshme pozitive të amerikanëve, këshilltarët e zotit Biden e dinë mirë se faza tjetër e presidencës së tij pritet të jetë e ndërlikuar. Shkalla e vaksinimit është ngadalësuar dhe administrata po bën fushatë të bindë ata që hezitojnë të marrin vaksinat, për sigurinë dhe efikasitetin e tyre.
Krahasuar me vlerësimet për trajtimin nga zoti Biden të pandemisë, ekziston një ndasi e ashpër partiake lidhur me trajtimin e ekonomisë. Pothuajse të gjithë demokratët, 91%, mbështesin administrimin nga e tij të ekonomisë, ndërsa vetëm 19% e votuesve republikanë e mbështesin atë. Ndërsa pandemia dhe ekonomia kanë mbizotëruar muajt e parë të zotit Biden, shfaqen edhe çështje të tjera të rëndësishme.
Imigracioni në veçanti është bërë një shqetësim në rritje për Shtëpinë e Bardhë ndërsa ndeshet me një rritje të migracionit, përfshirë nga të miturit e pashoqëruar, në kufirin e SHBA me Meksikën. Republikanët janë përpjekur ta lidhin rritjen e fluksit me zbutjen nga ana e zotit Biden të politikave më të rrepta kufitare të miratuara nga paraardhësi i tij, Donald Trump.
Imigracioni është gjithashtu në mesin e çështjeve me vlerësim më të ulët të zotit Biden në sondazhin AP-NORC. Në përgjithësi, 43% e miratojnë trajtimin e kësaj çështjeje, ndërsa 54% nuk e pranojnë. Presidenti gjithashtu merr nota më të ulëta në politikën e kontrollit të armëmbajtjes, e cila është katapultuar përsëri në qendër të debatit kombëtar pas një numri hapje zjarri masive në të gjithë vendin. Amerikanët janë kryesisht të ndarë në lidhje me qasjen e zotit Biden për këtë çështje, me 48% në mbështetje dhe dhe 49% kundër.
Faza tjetër e presidencës së zotit Biden ka të ngjarë të përfshijë më shumë përqendrim tek politika e jashtme. Ai njoftoi se të gjitha trupat amerikane do të tërhiqen nga Afganistani deri në shtator dhe negociatorët amerikanë kanë rinisur diskutimet me Iranin mbi një marrëveshje të re bërthamore. Presidenti Biden ka thënë se do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin. Deri tani, një shumicë e amerikanëve, 54%, thonë se ata e miratojnë politikën e jashtme të zotit Biden./VOA
Top Channel