Pyetet SHISH: Kë takoi Ilir Meta/ Komisioni hetimor pyet edhe nëse kishte info për strukturën e mbrojtjes së votës së PD

11/05/2021 15:12

Top Channel e ka parë kërkesën që komisioni hetimor i ka dërguar SHISH përmes të cilit kërkon të informohet se çfarë informacionesh agjentët në terren kanë dërguar për personat e takuar nga presidenti Ilir Meta gjate fushatës elektorale.

Sikurse kërkohet informacion për aktivitetet e grupeve kriminale dhe lidhjet e tyre me politikën përpara 25 Prillit. Pritet me interes të mësohet nga kjo përgjigje nëse SHISH, ka informuar policinë për ekzistencën e strukturës së mbrojtjes së votës ngritur nga PD, me ish ushtarakë dhe ish drejtues policie të cilët prodhuan incidentin e Elbasanit.

“I besoj më shumë SHISH dhe SPAK sesa kasetave. Duhet të kemi informacion edhe nga shërbimet e huaja”, shprehet Murrizi.

Komisioni hetimor parlamentar miratoi paraditen e kësaj të marte kalendarin e punës duke i dërguar edhe një ftesë për tu dëgjuar presidentit Ilir Meta, subjekt hetimi nga ky komision.

“18 maj ftesa, jemi fleksibël edhe për një datë tjetër por s’kemi shumë fleksibilitet pasi koha e komisionit është e shkurtër”, tha Hyseni.

Për momentin mbetet e paqartë nëse kreu i shtetit i vënën nën hetim nga shumica socialiste nën dyshim për shkelje të kushtetutës do të ngjisë shkallët e kryesisë së kuvendit për herë të dytë, për tu përballur me pyetjet e komisionit.

Objektivi që i ka vënë vetes ky komision është hartimi dhe leximi në komision të raportit final deri më datë 24 Maj.

Një ditë më parë kryesocialisti Edi Rama shprehu vendosmëri në shkarkimin e presidentit kur tha se “ Ilir meta duhet të shkarkohet nga detyra si një personifikim i anti-shtetit, i ndëshkuar nga populli shqiptar në 25 prill duke theksuar se duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta çminuar institucionin e presidentit të republikës duke votuar në bllok shkarkimin.

Top Channel