Presidenti i Rumanisë thirrje Biden-it: Dërgoni më shumë trupa të NATO-s të na mbrojnë nga Rusia

11/05/2021 16:28

Presidenti Klaus Iohannis i Rumanisë ka bërë kërkesë për një prani më të madhe ushtarake të SHBA-së “nga Baltiku në Detin e Zi” për të mbrojtur vendet e Evropës Lindore nga Vladimir Putin.

Sipas mediave të huaja, ai i tha presidentit Joe Biden se më shumë trupa të NATO-s janë të nevojshme në krahun lindor të Evropës pas një vendosje të fundit ushtarake nga Rusia në kufirin e saj me Ukrainën.

Komentet e tij erdhën në një konferencë të Bukureshtit, ku morën pjesë Rumania, Polonia, Hungaria, Bullgaria, Republika Çeke, Sllovakia, Estonia, Letonia dhe Lituania, të cilat ishin të gjitha ose pjesë e Bashkimit Sovjetik ose të kontrolluara nga Moska gjatë Luftës së Ftohtë.

Tani, të nëntë vendet janë anëtarë të BE-së dhe NATO-s.

Dhe Iohannis ia tha këtë Bidenit, i cili mori pjesë në konferencë përmes lidhjes online, duke e paralajmëruar për rritjen e aktivitetit rus, përfshirë rajonin e Detit të Zi, ku ndodhet Rumania.

“NATO duhet të vazhdojë të forcojë pozicionin e saj të parandalimit dhe mbrojtjes, veçanërisht në krahun lindor, në një mënyrë të unifikuar dhe koherente, nga Deti Baltik në Detin e Zi. Unë u luta,  përfshirë në diskutimin me presidentin Biden për një rritje të pranisë ushtarake aleate, duke përfshirë SHBA, në Rumani dhe në jug të krahut lindor”, tha ai.

Nisma e “Bucharest Nine” u nis nga Rumania dhe Polonia në vitin 2015 për t’i dhënë anëtarëve të aleancës Lindore një mënyrë për të diskutuar çështje rajonale dhe për të krijuar një zë të bashkuar në forumin më të madh të NATO-s.

Takimi i së hënës erdhi përpara një takimi të plotë të NATO-s në 14 qershor në Bruksel, ku aleanca ka selinë e saj.

Në samitin e qershorit, Biden dhe udhëheqës të tjerë planifikojnë të diskutojnë edhe në lidhje me tensionin e krijuar me Rusinë dhe Kinën, tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe të ardhmen e aleancës me 30 kombe.

Top Channel