Popujt indigjenë vrasin tre kërkues ilegalë floriri në Amazonën e Brazilit (fotot)

11/05/2021 17:32
Kamp kerkuesish floriri ne zonen e mbrojtur prane lumit Uraricoera

Tre minatorë ilegalë janë vrarë në një shkëmbim zjarri kur hynë në një zonë të popujve indigjenë në Amazonën braziliane, thanë sot liderët vendas.

Populli Yanomami tha se minatorët e armatosur që erdhën me shtatë barka sulmuan dje komunitetin e largët, ndërsa përveç viktimave, një person nga indigjenët dhe katër minatorë të tjerë u plagosën.

Llogaritet se 20,000 kërkues ilegalë floriri operojnë në territorin e popujve Yanomami, që është provinca indigjene më e madhe e mbrojtur e Brazilit.

Dhuna në rajonet indigjene të Amazonës duket se është shtuar pas ardhjes së presidentit Jair Bolsonaro, i cili ka premtuar hapjen e zonave indigjene për bujqësi dhe industri.

I riu Hekurari Yanomami, tha se shkëmbimi i zjarrit për afro gjysmë ore ndodhi në komunitetin Palimiú, pranë kufirit me Venezuelën. Rreth 930 njerëz jetojnë në zonë.

Disa pamje që supozohet se ishin të incidentit tregonin barkat e kërkuesve që kalonin mes komuniteteve, ndërsa gra e fëmijë ishin mbledhur pranë lumit Uraricoera dhe vraponin për të shpëtuar pas nisjes së krismave.

Lumi përdoret nga minatorët ilegalë që njihen nga vendasit si ‘garimpeiros’, për të transportuar karburant dhe mallra të tjera në kampet e tyre.

Në disa mesazhe të publikuara nga grupi i të drejtave ‘Instituto Socioambiental’ (ISA) thuhej se komuniteti ishte sulmuar pasi kishin sekuestruar karburantin që do të dërgohej në kampin e kërkuesve të floririt.

Agjencia indigjene Funai, tha se situata aktuale është “serioze” dhe ka rrezik të vazhdimit të konfliktit nëse nuk ndërhyhet nga autoritetet.

Kampet e kërkuesve janë vendosur në thellësi të xhunglës dhe po afrohen gjithnjë e më shumë me vendbanimet e komuniteteve indigjene.

Lumenjtë e përdorur nga popullsitë vendase po kontaminohen nga mërkuri i çliruar nga gërmimet ndërsa sëmundje të reja si Covid-19 e malaria janë sjellë nga minatorët.

FOTO GALERI
6/7
Llogaritet se 20,000 kërkues ilegalë floriri operojnë në territor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA