Lulzim Basha pas humbjes së zgjedhjeve po ecën në dy rrugë të kundërta. Demokratët do marrin mandatin e marrë nga procesi i 25 Prillit, por rezultatin që i bëri sërish ligjvënës nuk do e njohin.

“25 prilli është një masakër elektorale ku vullneti i zgjedhësve u tjetërsua nga krimi i organizuar, shitblerja e votës dhe shkrirja e shtetit me partinë dhe shkrirja e partisë me shtetin. Është e qartë si ky diell që shndrin që ky rezultat nuk do të njihet kurrë dhe për kë mendon se 25 prilli është mbarimi i betejës tonë e ka gabim. Beteja jonë vazhdon dhe do të vazhdoje deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi”, u shpreh Basha.

Beteja ligjore sapo ka nisur në organet ankimore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që për herë të parë pas zgjedhjeve Lulzim Basha i sulmoi publikisht.

“Kjo është një sfidë për drejtësinë e re, kjo është një sfidë për institucionet zgjedhore ku dje janë depozituar kërkesat për pavlefshmërinë në 9 qarqe dhe rivotimin në 9 qarqe. Është e njëjta KQZ dhe i njëjti KAS i cili me urdhër të Edi Ramës prishi fletën e votimit. Por ne do të dokumentojmë deri në fund provat e masakrës elektorale dhe do ta vazhdojmë betejën tonë në çdo hapësirë dhe mjetet tona”, tha Basha.

Ende pa u zbehur shija e fushatës elektorale, kryedemorkati duket se ka nisur një të re. Objektivi ka ndryshuar, këtë herë gara nuk është për postin e Kryeministrit, po karrigen e kryetarit të partisë. Lulzim Basha lajmëroi demokratët se shume shpejt në PD do ketë zgjedhje.

“Ne jemi një shtëpi e madhe. Gjithkush ka mendimet, kontributin, të mirat, të metat dhe gabimet e tij apo të saj. Këtu pa diskutim, bëj pjesë edhe unë, Por një gjë është e qartë, që ju keni patur dhe keni përgjegjësinë dhe mundësinë për të vendosur kush ju përfaqëson dhe kush ju drejton. E keni patur në të kaluarën dhe do ta keni përsëri shumë shpejt. Mendimet, idetë konstruktive, kritikat konstruktive vetëm na ndihmojnë dhe ne duhet t’i mirëpresim. Megjithatë, gjëja më e rëndësishme tani është të vazhdojmë betejë, të cilën me 25 prill, Edi Rama, Rrajat, Cyrbet, Ndraxhët, Doshët, Rakipët, menduan se e mbyllën. Mos kujtoni se harrova Vangjush Dakon, ai orkestroi vjedhjen ne Durres”, u shpreh kryedemokrati.

Ndryshe nga sa ndodhi ne fushatën për zgjedhjet e 25 prillit, ku aleatët ishin të përjashtuar, këtë herë përkrah Lulzim Basha kishte Agron Dukën, i cili e ka këshilluar te reflektoje mbi gabimet e se shkuarës.

Top Channel