Të huajt që punojnë në Shqipëri/ Gjejnë mundësi të mira për punësim dhe kosto të ulët jetese

10/05/2021 12:15

Në vitet 90’ teksa portat e ambasadave u hapën Shqipëria emigroi një forcë të lartë punëtore drejt vendeve të BE-së.

Sot, situata paraqitet ndryshe dhe shumë të huaj po gjejnë veten e tyre në vendin tonë.

Shumë prej tyre janë të vetëpunësuar si në rastin e Bakiut i ardhur nga Stambolli, por ka edhe të tjerë të punësuar në institucione dhe kompani, si Denisi nga Sarajevo.

Shifrat nga Drejtoria e Tatimeve na tregojnë se janë rreth 5 372 subjekte me pronësi të huaj në vendin tone.

Bakiu dhe Denisi flasin për profesionin që ata ushtrojnë në Shqipëri dhe gjërat që i pëlqejnë më shumë tek vendi jonë.

“Unë jam avokat, por këtu punoj si koordinator projektesh. Aplikova në internet tek vendi i punës dhe vendosa të vij. Në fakt periudha ime e qëndrimit ishte e detyrueshme një vit, më pas Tirana mu duk një vend shumë i këndshëm dhe vendosa të qëndroj. Në Tiranë më pëlqen klima dhe bregdeti që është afër, ushqimi dhe bregdeti. Është shumë e ngjashme me kryeqytetin tim Sarajevën. Njerëzit janë shumë suportues dhe kam shumë miq këtu. Nuk e dija ku po shkoja në fillim, por më pas Tirana mu duk shumë e bukur dhe gjeta shumë të huaj të tjerë që punojnë këtu. Veçanërisht këtë verë ka shumë njerëz që më pyesin për Shqipërinë, bregdetin dhe jam kthyer si ambasador i Shqipërisë.”

Bakiu shprehet se në Turqi njerëzit janë mësuar me punë dhe në Shqipëri duhet i njëjti mentalitet. Denisi nga krahu tjetër bën thirrje që njerëzit të investojë në rajon.

“Unë e dashuroj rajonin dhe doja të qëndroja këtu.Shumë njerëz nuk janë të kënaqur me rrogat dhe jetën, por unë jam.Të jetoj këtu me këto rroga ndoshta nuk është mirë, por unë shpresoj për më mirë. Ditë më të mira po vijnë dhe ne duhet të qëndrojmë së bashku.Njerëzit e rajonit tonë që emigrojnë punojnë shumë fort në vende të tjera, ndërsa unë mendoj që duhet të punojmë fort për vendin tonë.”

Top Channel